zoom

Lajme

Shpërthimi në Zubin-Potok/ Mobilizohet Kosova, Kurti: E ka bërë Serbia

Shpërthimi në Zubin Potok dhe dëmtimi i infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike ka ngritur në këmbë shterin e Kosovës.

Kreyminitri Kurti thirri një mbledhje të jashtëzakonshme pas mesnate.

“Sonte u desh të mblidhemi në këtë orë të vonë këtu në kryeministri, për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda, kriminale, terroriste e dashakeqe që po vijojnë  të na vijnë ne besojmë na vijnë nga fqinji ynë verior agresiv e armiqësor.
 
Vetëm ditëve të fundit, patëm sulm me granata dore në stacionin policor në Zveçan më 26 nëntor, mbrëmë u hodh mjet shpërthyes në afërsi objektit të Komunës së Zveçanit, e sonte ishte dhe akti e më i rëndë ku rreth orës 19:00, në afërsi të fshatit Vragë të Zubin Potokut, me mjete shpërthyese u dëmtua kanali kryesor i Ibër Lepencit, prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë si dhe KEK-u për ftohjen e termoelktranave dhe prodhimin e energjisë elektrike.
 
Pra një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit është dëmtuar nga një shpërthim i detonuar. Policia jonë tashmë është në vend të ngjarjes dhe në krye të detyrës. Furnizimi me ujë të pijes është ndërprerë përkohësisht, sipas edhe lajmërimeve e njoftimeve nga KRU Mitrovica. Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që e kemi  dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë. 
 
U bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi udhëzimet dhe njoftimet nga institucioneve e Republikës së Kosovës. Organet shtetërore janë të angazhuara për të siguruar menaxhimin e situatës, rikuperimin e dëmit, dhe zbardhjen e plotë të rastit. 
 
Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes.

Disa qytete dhe një pjesë e Prishtinës, rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm. Për bindjen tonë të fuqishme nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësi dhe fajësi  për organizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi përveç Beogradit zyrtar dhe strukturat e tyre kriminale të cilat më në krye Millan Radojçiq, mbështeten nga institucionet serbe, dhe nga presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq. Ai u ndalua për t’u liruar dhe tash është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare e kriminale atje, kriminelit të paqes e kriminelit të luftës që e urrejnë republikën tonë dhe popullin tonë mbarë.
 
Ky është pra shpërthimi i tretë në tre ditët e fundit që ka pasur për cak institucionet e vendit tonë dhe është synuar të nxitet frika dhe pasiguria së pari te banorët e katër komunave në veri të Ibrit, për ta përshkallëzuar situatën dhe më pastaj edhe mbarë vendin tonë.”- deklaroi Kurti.