zoom

Aktualitet

Shpërthimi me tritol, merret në mbrojtje familja e prokurorit Muça

Një ditë pas shpërthimit me tritol në makinën e prokurorit Arjan Muça, policia ka marrë në mbrojtje familjen e tij. Familja e prokurorit, që është pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të ruhet nga policia, pas sulmit me eksploziv që ndodhi mbrëmjen e djeshme, i cili mendohet se ishte një mesazh paralajmërimi për Muçën.

Punonjës të policisë kanë qenë në patrullim që prej ditës së djeshme pranë banesës së prokurorit dhe gjatë ditës së sotme janë stacionuar sërish deri në sqarimin e rrethanave. Shpërthimi ndodhi ditën e djeshme te “Komuna e Parisit”, në Tiranë, ku mjetit tip “Benz” me ngjyrë të zezë iu vu tritol teksa ishte i parkuar në minus dy kate brenda një qendre tregtare. Mjeti pësoi dëme materiale dhe gjithashtu një mjet pranë tij.

Prokurori Arjan Muça është aktualisht te Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ndërsa merret me dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kalojnë në Vetting. Nuk dihet ende nëse shpërthimi ka qenë mesazh për vetë prokurorin, apo për bashkëshorten e tij, e cila është gjyqtare te Gjykata Administrative e Tiranës.