zoom

Politikë

Shkriu akademinë dhe i akuzoi për vjedhje, por dikur qeveria i garantoi jetëgjatësinë Albanologjisë

Më 12 tetor 2021, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi vizitoi Akademinë e Studimeve Albanologjike, ku u prit nga rektori, prof. dr. Luan Përzhita, të cilin e garantoi se nuk do merret asnjë iniciativë që cënon autonominë e Akademisë.

Rektori Përzhita e prezantoi ministren me Senatin e ri dalë nga zgjedhjet e 21 korrikut dhe bëri një sintezë të gjendjes aktuale të këtij institucioni të lartë të kërkimit shkencor nën varësinë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Në fjalën e saj, ministrja Kushi atë kohë garantoi rektorin Përzhita dhe Senatin e ri, se ministria që ajo drejton dhe qeveria që ajo përfaqëson “nuk do të ndërmarrë asnjë iniciativë që cënon autonominë e Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bazë të ligjit “Për Arsimin e Lartë” që garanton pikërisht autonominë e insitucioneve të kërkimit shkencor”.

 

Në njoftimin zyrtar të ASA-s asokohe thuhet se Ministrja Kushi theksoi se “kjo autonomi është e përligjur edhe në saje të produktit shkencor që stafi kademik i ASA-s ka dëshmuar në këto 14 vite të ekzistencës së saj, me botimet, konferencat ndërkombëtare, praktikën universitare, po edhe me atë pasuri të rrallë muzeale që vetë ministrja pa gjatë vizitës në Muzeun Arkeologjik dhe në fondet e nëndheshme ku ruhen në standarde evropiane rreth 44 mijë objekte arkeologjike në gjendje për t’u ekspozuar”.

Pjesë e diskutimit ishte edhe kërkesa që Akademia e Shkencave të Shqipërisë i kishte dërguar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Qeverisë për kthimin e instituteve të albanologjisë në varësi të Akademisë së Shkencave.

Për sa i takon kësaj kërkese, ASA shkruan se profesorë dhe studiues të pranishëm në takim, si Aurel Plasari, Afrim Krasniqi, Nebi Bardhoshi, Hamit Kaba, Valter Memisha etj., i bën me dije ministres se sa e rëndësishme është pavarësia e ASA-s duke marrë si përgjigje: “Jemi me ju në çdo vendim që do të ndërmarrim për statusin aktual dhe të ardhmen e këtij institucioni”.

Sot, 2 vite më pas, Ministrja Kushi deklaroi se është marrë vendimi për një riorganizim të Akdemisë Albanologjike pasi janë vënë re shkelje të rënda ligjore dhe financiare. Ndër shkeljet që Ministria vë në dukje është se “ASA prej 8 vitesh nuk regjistron asnjë student” apo se “asnjëherë nuk ka patur një fakultet që është detyrimi i parë ligjor”. Pra qartazi, ministria i dinte këto fakte që në vitin 2021, por pse vendosi t’i nxjerrë sot?