Aplikacion
Një ministri për Shkencën edhe Kërkimin Shkencor, në pamje të parë duket një ide shumë interesante po aq sa edhe e rrezikshme .
E konsideroj interesante sepse dy dekadat e fundit ka pasur një rritje të sistemeve të këshillimit shkencor për qeveritë, si dhe shtim të “ndërmjetësve të njohurive”, ose organeve që punojnë për të përmirësuar përdorimin e kërkimit shkencor në politik-bërje por edhe se eksperienca botërore tregon se, shkenca ka gjasa të lulëzojë më shpejt në një mjedis kërkimor të centralizuar, i cili nevojën për mbështetje publike, organizim efektiv dhe llogaridhënie politike e balancon me pavarësinë shkencore dhe diversitetin institucional.
E konsideroj të rrezikshme sepse mjedisi kërkimor i centralizuar mbart rrezikun e përafrimit të shkencës me objektivat politike , duke rrezikuar ta lidhë atë me qëllimet partiake të shumicës qeverisëse. Një rrezik tjetër i centralizimit të kërkimit shkencor mund të lidhet me përqendrimin e tij tek nevojat utilitare të qeverisë, duke gërryer kështu mbështetjen për investimet afatgjata në kërkimin bazë eksplorues i cili edhe pse nuk lidhet me nevoja utilitare të momentit është jashtëzakonisht të dobishëm për shkencën .
Edhe pse jo gjithmonë objektivat politike kanë rezultuar të këqija për shkencën, ato shpesh e kanë larguar shkencën dhe burimet publike të lidhura me të, nga cështjet jashtë fokusit të qeverive. Për shembull, programi hapësinor i cili në thelb ishte një program kërkimor dhe inxhinierik i aplikuar, u drejtua nga objektivat politike në SHBA-së edhe dinamika e Luftës së Ftohtë. Megjithatë ai mbështeti dhe stimuloi kërkimin shkencor të të gjitha llojeve duke frymëzuar një brez studiuesish të rinj për të bërë karrierë në fizikë, matematikë dhe inxhinieri. Sikurse duhet thënë se ndërthurja e thellë e shkencës me qëllimet teknologjike dhe ushtarake të qeverisë e largoi shkencën edhe burimet publike me të cilat ajo financohej të fokusoheshin në përmirësimin e kushteve sociale dhe mjedisore.
Ndërsa pavarësia shkencore, përpiqet ta mbajë shkencën larg nevojave politikëbërjes, sfidat të cilat kanë nevojë për njohuri kërkojnë angazhim më të madh të gjithë korpusit shkencor në proceset e politikë bërjes.
Ndaj qe martesa “shkencë- politikë ” te funksionojnë duhen te sigurohen mekaniza që shkenca të ruajë pavarësinë e mjaftueshme për të ruajtur integritetin e saj, duke demonstruar rëndësinë dhe reagimin e saj ndaj nevojave publike edhe politike.
A ofron projektligji I ri mbështetjen e qeverisë për shkencën duke e konsideruar atë një ” partner sokratik” në politikëberje , apo thjesht shtrin kontrollin e qeverisë edhe mbi kërkimin shkencor?
Po ndalem tek një fakt i thjeshtë por shumë domethënës:
Detyra të rëndësishme si: orientimi i politikave mbështetëse për shkencën dhe kërkimin shkencor; rekomandimet për përcaktimin e fushave prioritare shkencore dhe mekanizmat e financimit të tyre; rekomandimet për hartimin e strategjive dhe programeve afatmesme të shkencës dhe kërkimit, si dhe të monitorimi i sistemin kombëtar të shkencës dhe kërkimit, do të kryhen nga Këshilli Kombëtar për Shkencën edhe Kërkimin Shkencor. Këto detyra në vetvete kërkojnë që këshilli të drejtohet dhe të kishte në përbërje njerëz me mendje shkencore, në vend të të emëruarve politikë.
Paradoksalisht projektligji përcakton që Kryeministri që asnjë ditë të jetës së tij nuk është marrë me shkencë të jetë në krye të Këshillit për Shkencën dhe kërkimin Shkencor. Por jo vetëm kaq , 7 antarë të tjerë të Këshillit janë ministra të cilët rrallë ndonjëherë në historinë e qeverive shqiptare kanë lidhje qoftë edhe periferike më shkencën. Ndërkohë anëtarët e tjerë të komitetit ose caktohen nga ministrat ose zgjidhen nga stafet e agjencive në varësi të qeverisë.
E pra ai që duke pire verë, në Turqi, Dubai apo në vilën qeveritare në Dhërmi përcakton sa do të kushtojë tuneli, porti, rruga, apo kush do të marrë Sazanin apo Zvërnecin, po duke pirë verë do të përcaktojë synimet pse jo hipotezat dhe rezultatet atij pak kërkimi shkencor që kemi.
Edhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe shkenca nuk mund të ishte një ishull i pavarur në një autokraci personaliste, përkundrazi nga sot e tutje autokrati do të jetë zemra e shkencës.