zoom

Aktualitet

Shiste drogë afër shkollave, 65-vjeçarit i gjenden në banesë armë, fara kanabisi dhe lekë

Policia lokalizoi dhe prangosi një person të dyshuar, që shiste drogë afër shkollave në Tepelenë.

“Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacioneve “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”, për një shtetas të implikuar në disa veprimtari kriminale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Tepelenës, në bashkëpunim me ata të sektorëve Operacional dhe për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër, finalizuan operacionin policor të koduar “Paralel”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi J. G., 65 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi L. S., 42 vjeç, të dy banues në Tepelenë.

“Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesën e të arrestuarit, shërbimet e Policisë gjetën rreth 600 gramë cannabis sativa, 500 fara cannabisi, 1 peshore elektronike, 1 armë zjarri, 1 armë të ftohtë, 254 000 lekë dhe 620 euro të përfituara nga veprimtaritë kriminale, si dhe 2 celularë. Një pjesë e lëndës narkotike ishte ndarë në doza, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave”, tha policia.

Ndërkaq, procedimi penal për shtetasin L. S., nisi sepse u kap në flagrancë duke blerë doza cannabisi, nga shtetasi J. G. Hetimet i kanë kaluar prokurorisë vendore. /ZOOM.AL/