zoom

Lajme

Sherr te Komisioni për Shëndetësinë. Ndreca: E kthyet në konferencë! Vokshi: Harrojini shantazhet!

Ka nisur me debate dhe tensione mbledhja e dytë e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë. Replika dhe akuza të forta pati mes kryetares Albana Vokshi dhe nënkryetarit Plarent Ndreca.

Kryetarja Albana Vokshi ka thirrur mbledhjen për të dakordësuar ekspertët që do ndihmojnë hetimin parlamentar dhe institucionet që do t’i drejtohen për informacion.

Komisioni Hetimor për koncesionet në shëndetësi u ngrit javën e kaluar pas paktit PS-Rithemelimi ndërsa ka thirrur rreth 16 dëshmitarë, mes të cilëve kryeministri Rama e ish-ministrat e shëndetësisë Beqja e Manastirliu.

Mbledhja e parë u zhvillua me debate te ashpra. Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi akuzoi se dy koncesionet, ai i sterilizimit e Check-up janë korruptive, ndërsa Zhupa dhe Ndreca u përplasën për konfliktin e interesit. Ky komision ka në fokus Check-upet dhe Sterilizimin pasi hoqi dorë nga koncesionet për laboratorët mjekësore e hemodializën.

Debati Vokshi-Ndreca:

Zhupa: Kryetari nuk mund të thotë që nuk mund të kalojë asnjë shkresë pa e parë ai. Kur thuhet drejton çështjet administrative nuk tregon që je mbi kryetarin. Por pasi ai ka vendosur, ju (sekretari) ta ndiqni procedurialisht.

Ndreca: Tendenca e komisionit duhet të jetë zbatimi i ligjit. Më vjen keq që kryetarja vijon me konferencat për shtyp që nuk i shërbejnë punës. Më vjen keq dhe nuk po krijojmë dot komunikim me njëri-tjetrin.

Vokshi: Unë të informoj sekretarin? Mendoni se do monopolizoni drejtimin e komisionit me sekretarin? E mbani veten për jurist. Ndryshe hajd e ikim të gjithë se të gjitha punët i bëka sekretari. Ligji do zbatohet pikë më pikë. Sekretari është për çështje administrative. Harroni shantazhet ndaj stafit.

Ndreca: Po thyeni etikën!

/ZOOM.AL/