zoom

Aktualitet

Sherr mes policëve/ Efektivi i FNSH dhe shefi i Operacionales nxorrën armët në Bllok, reagon AMP

Sherret mes efektivëve të strukturave të ndryshme të Policisë së Shtetit me njëri-tjetrin jashtë dhe në orët e shërbimit, edhe pse të turpshme dhe minuese të besimit të qytetarëve te forcat e tendit, duket se janë kthyer në “trend” në Shqipëri.

Pa u shuar ende shija e hidhur që la plagosja e efektivit Ervis Hasa me sende të ftohta nga kolegu i tij Redi Mato në Elbasan pas debateve për një vajzë, apo edhe përplasja e një oficeri të “Shqiponjave” me një koleg të “Rrugores” në Tiranë, një ngjarje e ngjashme ka ndodhur sërish në kryeqytet.

Mësohet se të hënën në mbrëmje një konflikt mes punonjësve të policisë ka degjeneruar deri në nxjerrjen e armëve mes tyre në një nga rrugët e Tiranës.

Incidenti i rëndë ka ndodhur në zonën e Ish-Bllokut pranë njësisë bashkiake Nr. 5, ku protagonistë janë bërë efektivi i FNSH-së Rigers Iljazi dhe shefi i Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Vladimir Laska.

Sipas shpjegimit që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore jep për ngjarjen, fillimisht ka qenë vëllai i efektivit të FNSH-së, Marjus Iljazi që është konfliktuar me Laskën në ambientet e një dyqani.

Përplasja mes tyre ka agravuar dhe në të është përfshirë edhe Rigers Iljazi, ndërsa të dy palët kanë kanosur njëri-tjetrin me armën e shërbimit.

Pas marrjes së njoftimit për incidentin, kanë ndërhyrë forcat “Shqiponja” dhe agjentët e AMP që kanë bërë shoqërimin e tyre në komisariatin Nr. 2, ndërkohë që edhe një hetim lidhur me ngjarjen është hapur tashmë.

Sakaq, vlen të theksojmë se ngjarje të tilla janë të turpshme për vetë peshën që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, ku efektivët dhe drejtuesit e tyre duhet të jenë shembull në sjellje dhe respektim të ligjit.