zoom

Politikë

“Sherr” LSI-PD, Briseda Shehaj: Harruam që Luli kishte skenaret e veta, jo të opozitës

Humbja e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit ka rikthyer përplasjet mes dy partive aleate Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dy partitë nuk pranuan që të dilnin së bashku në një koalicion, duke e cilësuar si një taktikë për rritjen e peshës elektorale, por kjo skemë dështoi.

LSI-ja, e cila mori vetëm katër deputetë në këto zgjedhje po shfryn dufin ndaj aleates së saj, Partisë Demokratike duke e akuzuar se kishte ndonjë skenar tjetër, për të ulur peshën elektorale të saj në Parlament.

Akuza ka ardhur nga Briseda Shehaj, kandidatja e LSI-së për Tiranën, që nuk ngurron të fajësojë Bashën dhe duke aluduar edhe për skenare të tjera, veç bashkëpunimit politik.

Në pyetje-përgjigjet në Instagram, një qytetar i ka vënë në dukje atë që ai dhe shumë të tjerë mendojnë se djegia e mandateve ishte një gabim i madh. Në përgjigjen e saj një pjesë të fajit ia faturon kryedemokratit, duke u shprehur se “Harruam që Basha ka skenaret e veta, jo të opozitës”.

Kjo nënkupton se LSI-ja ngre dyshime për bashkëpunim mes Ramës dhe Bashës në këto zgjedhje.

Një pyetje tjetër po kaq me peshë, kishte të bënte me dorëheqjen e kryetarëve të opozitës. Ajo flet për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, se qytetarët i kanë besuar me vullnet të lirë votën, ndërsa lë të nënkuptuar ndarjen me PD-në. Ajo shprehet se Kryemadhi nuk ka pse ta japë dorëheqjen, pasi 107 mijë votat ishin kundër këtij sistemi zgjedhor. Sa për të tjerët nuk na intereson fare se çfarë bëjnë”, shkruan Shehaj, duke paralajmëruar kështu edhe shkëputjen me PD-në.