zoom

Politikë

Shehi: PS po mbledh vota me paratë e tërmetit

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, njëherësh kandidat në listat e PD-së ka deklaruar se PS-ja po mbledh vota me paratë e tërmetit në periferi të Tiranës.

I ftuar në studion e ABC-së, me Juli Xhokaxhi, Shehi tha se ka kaluar një vit e gjysmë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe ende nuk është inauguruar asnjë kompleks, por vetëm banesa individuale në fshatra. Sipas tij socialistët po përdorin paratë e tërmetit për të mbledhur vota.

“Rindërtimi, janë marrë fonde dhe nuk di ku po shkojmë. Nëse më gjeni ju pas 1 vit e gjysmë të paktën një kompleks që inaugurohet përveç shtëpive individuale. Janë marrë para me grushta. Kur u bë një paketë e madhe e mbani mend çfarë lavdërimi bënte. Këto i mbajnë si para xhepi këta i shpërndajnë për vota. Atje ku janë bërë dëmet më të mëdha nuk e çajnë kokën. Këta kanë dalë të mbledhin vota në periferi me paratë e tërmetit. Ky na paksa shpëtuar nga tërmeti dhe vdekja dhe duhet ta votojmë”, tha Shehi.

Duke komentuar procesin e vaksinimit në vend, Shehi nuk kurseu kritikat ndërsa pranoi se ka bërë vaksinën kineze. Kreu i LZHK-së tha se do të donte të kishte marrë vaksinën Pfizer, duke shtuar se qeveria ka sjellë në vend vaksina jo cilësore. Shehi tha se deri më sot janë vaksinuar vetëm 5% e shqiptarëve dhe se të tjerat janë gënjeshtra.

“Edhe unë kinezen kam bërë. Po do kisha preferuar të bëjë Pfizer. Ka sjellë ato që janë më të lira. Ne nuk i marrin direkt nga vendet prodhuese. Do të jemi borxh disa shteteve që nuk u kemi asnjë borxh. Ky është një spostim nga të gjitha akset. Dëgjova që po marrin ruse nga Rusia. Është më e ndershme kjo, sesa rusi të na hyjë nga penxherja arabe. Unë po ju përmend. Shikojeni me kujdes shifrat sa vaksinohen dhe mos dëgjoni këto përralla,” deklaroi Shehi.