Aplikacion
Ambasada thotë se angazhimi i saj vjen në vazhdën e partneritetit për të çuar përpara reformat e nevojshme. Por vendimi i SHBA vjen në kulmin e dyshimeve se ky komision mund të përdoret nga mazhoranca e udhëhequr nga Edi Rama për të kontrolluar drejtësinë e re dhe në veçanti SPAK.
Në deklaratën e ambasadës bie në sy fakti se ajo kërkon që komisioni të mos prekë institucionet e pavarura, çka i shton dyshimet se angazhimi i amerikanëve ka pikërisht në fokus mbrojtjen e institucioneve të drejtësisë nga kontrolli apo presioni politik i Partisë Socialiste në pushtet.
Deklarata e ambasadës së SHBA: Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë.
Akuzat e opozitës
Opozita nuk do të jetë pjesë e këtij komisioni. Pas konstituimit të tij ajo u shpreh se komisioni është një përpjekje tëeqeverisë së udhëhequr nga Partia Socialiste për t’u rietiketuar si një luftëtare kundër korrupsionit.
Po ashtu, deputetët e opozitës ngritën shqetësome se kjo mund të jetë një përpjekje për të ndërhyrë në sistemin e reformuar të drejtësisë në vend dhe për të penguar punën e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar – organe të krijuara si rezultat i një programi reforme në drejtësi që ka vazhduar me mbështetjen e SHBA dhe BE-së, që nga viti 2016.
Në korridoret e politikës flitet se udhër – arrestet e SPAK për zyrtarët e lartë, si ish -ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, drejtorët e Bashkisë së Tiranës të përfshirë në aferën 5D apo drejtorit të ARRSH, kanë shtuar shqetësimet e Edi Ramës se hetimet e SPAK mund t’i lëkundin atij pushtetin.
Zëra brenda mazhorancës flasin për një kundër-ofensivë të Ramës ndaj SPAK, për ta vënë atë nën kontroll. Për këtë arsye ngritja e Komisionit Anti-korrupsion shihet si hap i parë i mazhorancës në këtë drejtim. /Zoom.al