zoom

Bota

Serbët e Bosnjës do të bojkotojnë institucionet shtetërore

Përfaqësuesit politikë serbë të Bosnjës thanë se ata nuk do të marrin pjesë në punën e institucioneve shtetërore derisa të tërhiqet një vendim nga mbikëqyrësi ndërkombëtar i Bosnjës dhe Hercegovinës për të vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Përfaqësuesit politikë serbë të Bosnjës nisin të martën një bojkot të institucioneve shtetërore, i cili në mënyrë efektive do t’i parandalojë ato të funksionojnë, në një protestë kundër vendosjes së një ndalimi të gjenocidit dhe mohimit të krimeve të luftës.

Ndryshimi ligjor u imponua javën e kaluar nga Përfaqësuesi i Lartë Valentine Inzko, zyrtari ndërkombëtar që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës së Bosnjës 1992-1995. Ai ndalon gjithashtu glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Politikanët serbë të Bosnjës e morën vendimin për bojkot në një takim të jashtëzakonshëm të hënën në Banja Luka, qyteti kryesor në entitetin e Republikës Srpska të mbizotëruar nga serbët e Bosnjës.

“Ne besojmë se nuk ka kushte që përfaqësuesit serbë të punojnë në institucionet e përbashkëta të Bosnjës, në presidencë, Asamblenë Parlamentare dhe Këshillin e Ministrave”, tha Nedeljko Cubriloviç, kryetari i parlamentit të Republikës Srpska, në një konferencë për shtyp pas takimit.

Përfaqësuesit serbë nuk do të tërhiqen nga institucionet shtetërore të Bosnjës, por ata nuk do të marrin pjesë në punën e tyre ose të marrin vendime derisa çështja të zgjidhet.

“Kurrë nuk do të pranojmë ndonjë vendim nga Përfaqësuesi i Lartë. Parlamenti i entitetit dhe Asambleja Parlamentare e Bosnjës dhe Hercegovinës janë vendet e vetme për miratimin e ligjeve”, tha Mirko Saroviç, udhëheqësi i Partisë Demokratike Serbe.

Inzko njoftoi të premten se ai ka vendosur një ndryshim në kodin penal të Bosnjës dhe Hercegovinës për të bërë të paligjshëm mohimin, faljen, banalizimin ose justifikimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit ose krimeve të luftës kur kjo bëhet në një mënyrë që “ka të ngjarë të nxisë dhunë ose urrejtje”.

Ai tha se po i impononte ndryshimet sepse ishte “thellësisht i shqetësuar që individë të njohur dhe autoritete publike në Bosnjë dhe Hercegovinë vazhdojnë të mohojnë që gjatë konfliktit të armatosur u kryen akte gjenocidi, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”.

Liderët politikë serbë në Republikën Srpska refuzojnë të pranojnë që masakrat e Srebrenicës nga forcat serbe të Bosnjës përbënin gjenocid, megjithë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore.

Inzko është në gjendje ta vendosë ndalimin nën të ashtuquajturat “fuqitë e Bonit”, të cilat e lejojnë Përfaqësuesin e Lartë të tejkalojë bllokimin e legjislacionit nga politikanët boshnjakë, nëse ai konsiderohet jetik për ruajtjen e paqes në vend.

Inzko, mandati i të cilit mbaron në fund të korrikut, tha gjithashtu se ai do të ndalojë “shpërndarjen publike të trakteve, fotografive ose materialeve të tjera” që mohojnë gjenocidin dhe dhënien e çmimeve dhe dekoratave njerëzve të dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit ose krime lufte.

Milorad Dodik, anëtar serb i presidencës trepalëshe boshnjake, këmbënguli që Përfaqësuesi i Lartë nuk ka “asnjë legjitimitet”.

“Ne duhet të sigurojmë një mekanizëm me të cilin nuk do të ketë imponim ligjesh”, tha Dodik.

Menjëherë pasi Inzko vendosi të imponojë ligjin, Dodik nisi dhe ishte i pari që nënshkroi një peticion duke refuzuar të pranonte imponimin e legjislacionit.

Peticioni gjithashtu këmbëngul se nuk ka ndodhur asnjë gjenocid. Nënshkrimi është nisur në qytete anembanë Republikës Srpska dhe gjithashtu në disa qytete në Serbi.

Liderët politikë boshnjakë dhe përfaqësuesit e viktimave të Srebrenicës e kanë mirëpritur vendosjen e ligjit për mohimin e gjenocidit. / BIRN