zoom

In Zoom

“Sarajet e Toptanëve”/ Kush e ndërtoi dhe për çfarë shërbeu nga Lufta e Parë Botërore deri në komunizëm

Mesnatën e sotme, në qendër të Tiranës u përfshi nga flakët ndërtesa historike, “Sarajet e Toptanëve”.

Por kush e ndërtoi dhe për çfarë shërbeu nga Lufta e Parë Botërore deri në komunizëm kjo godinë?

Godina ka qenë ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX nga familjet feudale të Tiranës, në kuadër të gjithë kompleksit të banimit sinjoril në zonën e Kalasë së Tiranës.

Në vitet e Luftës I Botërore, godina u rekuizua nga ushtria austro-hungareze, që vendosi aty një pjesë të trupave të saj.

Më pas, në vitet ’20, me vendosjen e marrdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, godina u kthye në seli e Legatës Amerikane, në pritje të ndërtimit të selisë së re që kanë edhe sot.

Pas largimit të amerikanëve, godina shërbeu në funksion të Bibliotekës Kombëtare, nga vitet ‘30 deri rreth vitit 1955.

Më pas, në fillim të viteve ‘70 në atë godinë u vendos Instituti i Monumenteve të Kulturës, i cili qëndroi aty deri në vitin 2001, kohë në të cilën me vendim gjykate dhe vendim të kthimit të pronave, Instituti u nxor jashtë, për t’ia kthyer godinën ish-pronarëve.

Do kishte qenë e udhës që shteti t’i kishte shpronësuar që në atë kohë pronarët, por kjo nuk u bë.

Më pas, për disa vjet godina hyri në udhën e degradimit, proces i cili u ndërpre për disa vjet nga një sipërmarës shqiptar, i cili e mori me qira nga pronarët dhe e ktheu në restorant.

Më pas, ndoshta nga mosmarrveshjet midis pronarëve, ky biznesmen u largua dhe objekti hyri sërish në rrugën e degradimit.