zoom

Aktualitet

“Sabrina e donte, i thoshte kur të ikë babai…”/ Flet i ati i Elton Metës: E vrau ditën e lindjes së tij, ishte si vajza jonë

Ditën e premte, publiku u trondit nga një ngjarje e rëndë! Një tjetër grua humbi jetën, pasi u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj.

Është fjala për vrasjen e Sabrina Bengajt, e cila u ekzekutua nga 31-vjeçari, Elton Metaj. Nëna e një vajze të mitur u përcoll për në banesën e fundit, ndërsa policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit të krimit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Zhupan, ku Metaj kishte shkuar në banesën e prindërve të saj dhe e qëlloi kur po darkonte. Ai njihej si person problematik.

Babai i Elton Metës ka thënë për emisionin “Shqipëria Live” se vrasja ka ndodhur në ditën e lindjes së 31-vjeçarit. Madje ai ka treguar se Sabrina i kishte thënë Eltonit se e donte.

“Mos i ndodhtë askujt kjo që më ndodhi mua. Ajo nuk ishte vetëm nusja e shtëpisë, por edhe vajza jonë. E rritëm vetë, e morëm 15 vjeçe. Na ka lënë një dhembshuri të madhe në zemër, këtë zi nuk e ka vetëm familja e saj,por edhe ne.

Nuk kisha mundësi ekonomike të nxirrja djalin nga burgu. Eltoni ishte mirë në shtëpi. Veprimin e bëri në ditën e lindjes. E bëri nga ngarkesa e pijes alkoolike. Kishte një presion nga ana e familjes së saj. Sabrina e donte. I thoshte le të ikë babi në Itali, e do ta rregullojmë muhabetin”, tha babai i 31-vjeçarit.

I pyetur nëse kanë frikë nga marrja e gjakut, i ati i Eltonit tha:

“Gjaknxehtësia është, ka një farë të drejte tjetri që të marrë hak”.

Ndërsa duke folur për bisedën që ka pasur me Eltonin pas ngjarjes së rëndë, ai tha:

“Babi e bëra këtë veprim, u bëfsh lëmsh, mos e sjell kokën. Më ka ikur edhe djali, edhe Sabina nga jeta”.