zoom

Aktualitet

Sa është paguar Veliaj për dieta të udhëtimeve jashtë vendit me taksat e qytetarëve të Tiranës?

Nga Ola Xama

Dietat që merr kryetari i Bashkisë Tiranë.

Ndërsa Erjon Veliaj ishte duke folur, tallur dhe bullizuar të ftuarit gjatë daljes (më në fund) në një panel gazetarësh për të bërë bilancin se si ka punuar për Bashkinë e Tiranës, mijëra fjalët propagandë që tregonte punën e mirë të tij, ma rrëzuan disa shifra.

Vendosa të mat sipas të dhënave zyrtare të thesarit të shtetit se sa është paguar Veliaj për dieta të udhëtimeve jashtë vendit me taksat e qytetarëve të Tiranës.

Vetëm për periudhën qershor – dhjetor 2022, ai ka marrë 11 mijë euro. Këto para që i ka dhënë vetes, nuk mund të jenë hedhur gabim as nga administrata, pasi janë firmosur me urdhër shërbimi nga kryetari, që është vetë ai.

Vlera ditore e dietës për udhëtim jashtë e kryetarit të Bashkisë është 80 euro në ditë. Nëse bën pjestimin, i bie që në 6 muaj, 4 muaj e gjysëm të ketë qëndruar jashtë. Pra, 11 mijë euro pjestim 80 euro i bie 137 ditë nga 214 ditë që janë nga qershori deri në dhjetor.

Tani dy mundësi janë: ose Veliaj nuk i shërben Tiranës dhe me paratë e taksapaguesve shëtit jashtë shumicën e kohës, ose po abuzon me dietat dhe bën urdhra shërbimi që të fryjë llogarinë bankare.

Shifrat janë shumë të vogla për abuzimet miliona euro që ne perceptojmë për zyrtarët tanë, por këto janë shumë të kapshme. Sistemi Tims i ka të dhënat e udhëtimit, firma për dhënien e dietave është bërë nga vetë Veliaj, dhe përfitues është vetë ai!