zoom

Bota

Rreziku nga hapësira: Kush qëndron gjatë në kozmos, i rrudhet zemra

Periudhat e gjata të kohës së kaluar në hapësirë kanë një të përbashkët me notin ekstrem të rezistencës: të dyja mund të shkaktojnë tkurrjen e zemrës. Ky është përfundimi i një studimi që krahasoi pasojat e qëndrimit të astronautit, Scott Kelly për një vit në kozmos me ato të një maratone noti nga atleti Benoît Lecomte.

Të dy heqin nga zemra ngarkesat që aplikon zakonisht forca e rëndesës, duke bërë që organi jetik të pësojë një lloj atrofizimi. Stërvitja në të dyja rastet ishte e mjaftueshme për të zhbërë ndryshimet në zemër. Studimi u drejtua nga Dr. Benjamin Levine, profesor i mjekësisë së brendshme në Universitetin e Texas-it dhe është botuar në revistën “Circulation”.

Kërkimi del në përfundimin se ka pasoja për udhëtimet shumë të gjata në hapësirë, të tilla si ekspeditat në mars, të cilat NASA planifikon t’i nisë gjerësisht në dekadat e ardhshme. “Një nga gjërat që kemi mësuar gjatë verifikimeve disa vjeçare, është se zemra ka plasticitet të larta. Ajo përshtatet me ngarkesën që i vendoset”, shprehet profesor Levine. “Një nga gjërat që ndodh në fluturimin hapësinor është se trupi nuk duhet të pompojë gjakun lart, sepse nuk po punon kundër gravitetit“.

Udhëtimi hapësinor përbën dhe një tjetër rrezik për organet jetësore. Nivelet e larta të rrezatimit në kozmos mund të përshpejtojnë sëmundjet koronare të zemrës. Sipas ekspertëve, një atak kardiak në hapësirë mund të ketë pasoja katastrofike.