zoom

Sport

Rrëfehet trajneri Silvinjo: Në Europian do të testojmë forcën tonë. Si e gjeta Kombëtaren…

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior ka zhvilluar një intervistë mjaft interesante për median portugeze “ZeroZero” duke u rrëfyer për gjithçka, rrugëtimi i tij me ekipin kuqezi, jeta në Tiranë, puna me stafin dhe lojtarët, kushtet e ofruara nga FSHF dhe mendimin e tij për dy futbollistët shqiptarë që luajnë në Portugali, Adrian Bajrami dhe Enea Mihaj.

Tekniku i Kombëtares kuqezi, evidentoi zhvillimin e FSHF-së dhe punën e madhe kërkimore që bëhet për gjetjen e talenteve të reja, ndërsa komentoi edhe shanset e Shqipërisë në Europian.

Më tej, ai tha se Shqipëria duhet të mësohet të luaj në kampionatin Europian, ndërsa shtoi se në të ardhmen do të synohet edhe kualifikimi në Botëror.

– Një vit pasi u zyrtarizua te Shqipëria, Silvinjo viziton sërish “zerozero-n”. Në mes të kësaj rastësie, cili është bilanci i punës tuaj si trajneri Shqipërisë?

– Është kënaqësi të jem këtu dhe jam befasuar nga kjo rastësi. Viti me Shqipërinë ishte shumë intensiv, përrallor dhe është fantastike që jam këtu duke folur me ju dhe duke e festuar këtë.

– Si lindi mundësia për të drejtuar Kombëtaren shqiptare?

– Ftesa ka ardhur nga një person shumë i afërt me Presidentin e Federatës. Unë jetoja në Porto dhe isha i ftuar në një darkë në Milano. Presidenti i FSHF, Armand Duka ishte në Itali për çështje biznesi dhe patëm mundësinë të bisedonim pak për tema të ndryshme. Kishte një kimi të mirë, një harmoni mes synimeve të Federatës dhe asaj që mendonim se do të jepnim. Jo shumë kohë më vonë, ftesa u zyrtarizua dhe ne e pranuam. I kërkuam Presidentit të jetonim në Tiranë dhe për të kjo ishte një surprizë e madhe. Asnjë nga paraardhësit e mi nuk e kishte bërë këtë. Unë dhe ndihmësit e mi donim të qëndronim atje.

– A të ka ndihmuar përvoja te Kombëtarja braziliane?

– Vetë Doriva, që është në ekipin tim teknik, më tha këtë: “Ke kaluar tre vjet me Titen në Kombëtare, ke shkuar në Botërorin 2018, përvoja jote është tashmë shumë e mirë”. E dija shumë mirë se çfarë duhej të bënim për ta kryer punën mirë. Një gjë është klubi, tjetër është Kombëtarja.

– Çfarë realiteti gjetët në Tiranë?

– Një Federatë shumë e evoluar, një godinë krejtësisht e re, më shumë se 100 punonjës, katër kate ekskluzive për punën tonë. Shkojmë në punë çdo ditë në nëntë të mëngjesit dhe largohemi në pesë pasdite. Arritëm në janar, ndeshja e parë ishte në mars kundër Polonisë dhe kishim një qendër stërvitore krejt të re, gati për të nisur. Kemi bërë shumë vizita te futbollistët, Presidenti ka qenë gjithmonë në ndihmë. Kishte një farë frike nga ana jonë, sepse ky kompleks stërvitor është pikërisht në qendër të Tiranës, por e vërteta është se nga tifozët, nga njerëzit, ka vetëm respekt. Kam gjetur një Federatë shumë të strukturuar.

– Grupi i futbollistëve është i një cilësie të mirë?

– E kuptuam shpejt që kishim një grup të mirë futbollistësh, pasi pothuajse të gjithë luajnë në kampionate shumë të rëndësishme. Në Serinë A, në Bundesligë, në Premier League, në La Liga, në Portugali, të gjithë këto kampionate kanë lojtarë shqiptarë.

– Si punoni për të rekrutuar lojtarët që janë me origjinë shqiptare, por që kanë lindur jashtë apo që janë larguar nga vendi? Kishte nevojë për t’i bindur ata të përfaqësonin Shqipërinë?

– Ishte një punë shumë e ndryshme nga çdo gjë që kisha bërë më parë. Historia e Shqipërisë është shumë e pasur. Janë tre milionë shqiptarë që jetojnë aty dhe 15 milionë të tjerë jetojnë në territore të tjera. Kemi futbollistë me kombësi italiane, zvicerane apo gjermane që janë me origjinë shqiptare. Federata po e kryen shumë mirë punën e evidentimit të talenteve dhe nuk është punë dytësore. Kemi pasur tetë ndeshje kualifikuese, disa tashmë janë thirrur dhe të tjerë mund të vijnë në të ardhmen.

– Të jetosh në Portugali, në Europë, a të ka ndihmuar për t’u bërë trajner i Kombëtares shqiptare?

– Unë besoj se po. Kam jetuar me shumë kultura dhe metodologji. Brazil, Spanjë, kam kaluar tre vjet në Premier League, pesë vjet duke punuar në Itali dhe pikërisht në atë vend kam ndjekur kurset e mia të trajnerit. Me fjalë të tjera, ekziston një përzierje e madhe e njohurive. Idetë e mia, të stafit teknik ishte një ndihmë tjetër. Kemi Pablo Zabaletën, Dorivën, që kanë punuar në klubet më të mëdha në Europë.

– Shqipëria ka futbollistë në kampionatet më të mëdha. A jua ka lehtësuar kjo gjë punën, të paktën nga ana e mentalitetit?

– Shumë e saktë. Natën kur u kualifikuam në Euro 2024, përmenda dy trajnerë që ishin në Kombëtare para nesh dhe që lanë gjëra shumë pozitive. Njerëzit duhet ta kuptojnë procesin dhe ky proces nuk është gjithmonë i shpejtë. Ata janë mësuar të luajnë kundër klubeve të mëdha, kundërshtarëve të mëdhenj dhe të kenë përgjegjësinë për të fituar. Ne kemi shtuar një metodë, një ide, por kemi përfituar nga trashëgimia e lënë pas.

– Në Portugali janë dy shqiptarë në kategorinë e parë: Enea Mihaj luan për Famalicão dhe Adrian Bajrami u thirr së fundmi në ekipin e parë të Benfica-s.

– Po, erdha t’i takoj personalisht në një udhëtim në Portugali dhe me Adrian Bajramin përvoja ishte në fakt qesharake. Nuk e dija nëse fliste mirë portugalisht. Kur shkëmbenim mesazhe me shkrim ishte gjithmonë në anglisht. Arrita në Lisbonë, shkova ta takoja dhe Bajrami dukej më shumë si një portugez. Ai është një futbollist i ri. Futbolli ka ndryshuar, duhet të flasim dhe më pas të marrim vendime. Nëse gjërat shpjegohen, ata kuptojnë. Bajrami është më i ri, ai është te Benfica B, unë isha kurioz për të. Enea Mihaj ishte pjesë e planeve tona, erdha të shikoja dy ndeshje të Famalicão, folëm në anglisht. Ai është thirrur, është absolutisht profesionist, kujdeset shumë për të gjitha aspektet fizike. Edhe Bajrami, por ai është më i ri. Ai ka aspekte të rralla, shpejtësinë dhe këmbën e majtë.

– Çfarë mund të bëjë Shqipëria në kampionatin Europian?

– E dimë që grupi është shumë i vështirë. Ne duhet të testojmë forcën tonë. Në Federatën shqiptare janë dy situata shumë të qarta për ne: e para është Europiani dhe ne duhet të zhvillojmë një Europian të ndershëm, të fortë, me karakteristikat e ekipit tonë që nuk mund t’i ndryshojmë, idetë tona janë të panegociueshme. Pjesa e dytë përfshin përpjekjen për ta bërë Shqipërinë të konkurrojë në më shumë Kampionate Europiane dhe të fillojë të mendojë për të qenë në Kupën e Botës. Të dyja pikat janë të vështira, por ne jemi në një linjë të përkryer me Federatën.

– Tifozët në Shqipëri, si mund ta menaxhojnë këtë entuziazëm, ju jeni në një grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë?

– Ne kemi filluar të punojmë për këtë edhe para përfundimit të kualifikimit. Është e vërtetë, ka një atmosferë euforie të madhe. Kur ndeshja kundër Çekisë në shtëpi përfundoi 3-0 , nuk më zinte gjumi. ‘Si do ta menaxhojmë gjithë këtë?’ Njerëzit na telefonuan, pyetën se çfarë po ndodhte, thanë se nuk kishin parë kurrë një gjë të tillë dhe se qyteti i Tiranës po lëshonte fishekzjarre. Gjithçka ishte shumë mirë. Duhet të vendosim synime të arritshme, nuk mund të themi se jemi në këtë grup dhe është e detyrueshme të kalojmë më tej. Ne duam vazhdimësi, të jemi sërish në Kampionatin Europian, por është e rëndësishme të kontrollohet kjo eufori. Tifozi nuk ka kufi dhe ka të drejtë të ëndërrojë për Kombëtaren.