zoom

Të gjitha

Rrëfehet Elon Musk: Kam sindromën Asperger

Elon Musk u tha shikuesve të “Saturday Night Live” se ai ka sindromën Asperger, menjëherë pasi doli në skenë si i ftuar special në rolin e moderatorit në shfaqjen legjendare me skeçe.

Gjatë monologut të hapjes, CEO i SpaceX dhe Tesla iu referua vetes si “personi i parë me Asperger që moderon SNL”. Kjo dalje shënoi edhe herën e parë që ai flet për Aspergerin.

Në fakt, Elon nuk është i vetmi me sindromën Asperger që ka moderuar SNL, pasi edhe ish-anëtari i kastit të aktorëve, Dan Aykroyd, ka moderuar shfaqjen në vitin 2003 dhe ka diskutuar hapur për Aspergerin e tij.

Sindroma Asperger (AS) është një nga një grupet e çrregullimeve neurologjike të njohura si çrregullime të spektrit të autizmit (ASD). Sindroma Asperger është në skajin e butë të spektrit. Disa njerëz me çrregullime të spektrit të autizmit klasifikohen si me funksionim të lartë. Autizmi me funksionim të lartë do të thotë që këta individë nuk kanë aftësi gjuhësore të vonuara dhe probleme me zhvillimin njohës. Shpesh, individët e diagnostikuar me sindromën Asperger kanë inteligjencë normale ose mbi normale. Përveç kësaj, njerëzit me këtë sindromë janë në gjendje të arsimohen dhe të punojnë.

Simptomat ndryshojnë nga personi në person, por shpesh kanë një përqendrim obsesiv ndaj një teme me rreth të ngushtë interesi, si dinozaurët, oraret e trenave etj. apo kolonizimi i Marsit, në rastin e Musk.

Personi me sindromën Asperger nuk i kupton përpjekjet e personit tjetër për të ndryshuar temën e bisedës. Kjo është një nga arsyet që fëmijët me këtë sindromë kanë vështirësi në ndërveprimet shoqërore.

Njerëzit me sindromën Asperger mund të flasin pa shfaqur ndonjë shprehi në fytyrë. Po kështu, mund të kenë vështirësi me aftësitë themelore motorike, të tilla si vrapimi ose ecja. Këta fëmijë mund të kenë mungesë të koordinimi.