Aplikacion
Duke argumentuar në studion e “Top Story” se nuk ka asnjë vendim që pengon familjarët e ministrave të bëjnë biznes, Olta Xhaçka shtoi se ky projekt në jug ishte ëndrra e Artan Gaçit.
Sipas saj, çdo hap i ndjekur ka qenë konform rregullave, duke nënvizuar se statusin e investitorit strategjik bashkëshorti i saj e mori sepse në zonë kishte edhe investime të tjera të atij niveli, duke e “detyruar” diçka të tillë.
“Një investim privat në pronë private, blerë nga ish-pronar privat, pas përmbushjes së disa kritereve konform ligjit, shteti e stimulon për shpejtësi. Shteti i jep prioritet në lidhjen e kontratës për përdorimin e plazhit, duke qenë se është investim në fushë strategjike dhe investimi konsiderohet e mirë publike.
Në një pronë private me leje zhvillimi dhe ndërtimi të marrë. Përpara aplikimit të statusit, ky investim nuk ka pasur nevojë për asnjë lehtësi procedurale. Për shkak se në atë zonë investimet e tjera të rëndësishme kishin status të investitorit strategjik dhe prioritet për lidhjen e kontratës, i lindte e drejta edhe këtij investimi për shkak të nivelit të punësimit që të bënte të njëjtën gjë për të ngritur një sipërmarrje 100% turistike.
Unë dhe im shoq i kemi pasur punët e ndara, nuk dua t’i bëj avokatinë sipërmarrjes së tij, por ai është shkëputur në momentin që ne kemi krijuar një familje bashkë. Është marrë me biznes që në vitin 1991. Nuk bëhet fjalë për dikë të pasuruar nga politike.”
Keni folur për këto investime në detaje?
“Kemi folur patjetër se ky projekt ka qenë ëndrra e tij, ka qenë në partneritet më kompani të rëndësishme të huaja që mund të menaxhonin këtë investim. Ka qenë ëndrra e tij sepse ka dashur të realizojë një gjë të rëndësishme për ekonominë atje. Duke besuar që e ardhmja e këtij vendi është turizmi, kursimet, me kreditë bankare… Do ta realizonte në këtë sipërmarrje. Nuk di tua them detajet, nuk më kanë interesuar. Nuk jam naive, por nuk e kam ditur, nuk e di sa mund të më besojnë, por nuk e kam ditur që statusi i investitorit të asistuar, përcaktimi i koordinatave do ishte në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Kam menduar që nuk mund të votoja një vendimmarrje që e dija që kishte të bënte me familjarët e mi. Kam qenë prezente në mbledhjen dhe kam lajmëruar që ndodhet kjo pikë që mendoj se nuk duhet të votoj dhe nuk jam paraqitur në atë votim. Ishte përgjegjësi etike. Nuk ishte thjesht çështja e konfliktit të interesit, ishte kjo ngacmim etik që nuk duhet të merrja pjesë në atë votim. Nuk pyeta Ramën, thjesht ia deklarova sekretarit të përgjithshëm”, tha Olta Xhaçka./ Zoom.al