zoom

Aktualitet

RENEA e Operacionalja aksion ‘blic’ në Laç, 1 i arrestuar

Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit , DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin kanë zhvilluar një operacion për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Sipas policisë është arrestuar një 30-vjeçar me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve ndaj personit. Gjithashtu, u shoqëruan për verifikim edhe  5 persona me precedent të mëparshëm penal.

Si rezultat i kontrolleve , në Fushë-Milot, në ambientet e jashtme të një kompleksi u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë  “GLOCK”, me një krehër me 14 fishekë, që i përkiste shtetasit C. K.,  30 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik në xhepin e xhupit iu gjet një krehër i markës “GLOCK”, me 16 fishekë të kalibrit 9 mm  pa leje.

Gjithashtu ky shtetas dyshohet se është autori i vjedhjes se  targave  të shpallura në kërkim nga DVP Shkodër të vjedhura më datë 19.09.2019, të cilat  u gjetën brenda ambienteve rrethuese  të objektit.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 30-vjeçarit C. K., për veprat penale “Armëmbajtja pa leje ” dhe “Vjedhja” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, njoftoi policia.