zoom

Aktualitet

Referendumi i Serbisë në territorin kosovar, Kurti thërret seancë të jashtëzakonshme të kuvendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Siç thuhet në njoftim, në përputhje me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 paragrafi 2b të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për nesër, e shtunë, me datë 15 janar 2022, në orën 14:00.

“Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në njoftimin e bërë nga Zyra e Kryeministrit.

Tutje, në njoftim thuhet se, diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar.

Kuvendi i Kosovës nesër gjatë seancës së jashtëzakonshme pritet të miratojë Rezolutë për kundër referendumit të Serbisë në Kosovë.

Telegrafi meson se kjo Rezolutë pritet të miratohet në mbështetje të deklaratës së përbashkët të lëshuar sot pas takimit me shtetet e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, në lidhje me referendumin për ndryshimet kushtetuese të Serbisë në Kosovë.

Ndryshe, institucionet e Republikës së Kosovës, në një takim të përbashkët me Ambasadorët e Quint-it dhe përfaqësuesin e BE-së, paraqitën qëndrimin e tyre të koordinuar dhe të përbashkët lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Në këtë takim, sipas deklaratës së përbashkët të krerëve të shtetit, “përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”.