zoom

Aktualitet

Reagon gazetari i përmendur në përgjimet e Suel Çelës me Artan Hoxhën: S’kam përfituar kurrë favore

Gazetari Flamur Vezaj reagoi nga Amerika, pas zbardhjes së dosjea hetimore kundër grupit kriminal të Suel Çelës.

Në dosje përmenden veç anëtarëve të bandës dhe gazetarët Artan Hoxha e Elton Qyno, si dhe ish-funksionarë të lartë të drejtësisë e policisë.

Sipas SPAK, Artan Hoxha flet me Suel Çelën dhe persona të tjerë nga grupi i tij, duke pretenduar se ka ndikuar te kolegu Flamur Vezaj (për kohën kur kanë ndodhur ngjarjet) për të shkruar, redaktuar shkrime të caktuara apo mos për të shkruar kundër Çelës.

Por, Flamur Vezaj mohon që të ketë pasur bashkëpunim me Artan Hoxhën apo Suel Çelën. Ai po ashtu hedh poshtë pretendimet se ka pasur përfitime nga banda e Suel Çelës.

Reagimi i plotë i Flamur Vezajt:

Përshëndetje miq!

Ky është një reagim i detyruar për shkak të disa bisedave/thashethemeve që lidhen me emrin tim, të përmendura në një vendim gjykate.

Dua të sqaroj publikisht dhe të distancohem me forcë nga çdo deklarim apo bisedë e kolegut Artan Hoxha me persona të tretë, ku përmendet emri im.

Në asnjë rast, dhe aq më pak në datat e pretenduara në vendimin e gjykatës (1 ose 2 tetor 2020), nuk kam zhvilluar biseda me kolegun Hoxha lidhur me rastin në fjalë apo për çështje të tjera të përmendura në vendimin e gjykatës.

Theksoj me përgjegjësi se:
• Nuk kam pasur kurrë ndonjë ndërhyrje nga kolegu Hoxha për të shkruar ose mos shkruar, për të folur ose mos folur, për individë të përmendur në këtë dosje apo të tjerë të ngjashëm.
• Nuk kam takuar asnjëherë personalisht individët që përmenden në komunikimet mes kolegut Hoxha dhe palëve të treta.
• Nuk kam marrë kurrë përfitime apo favore gjatë punës sime për ndonjë qëllim të caktuar nga kolegu Hoxha, individët e përmendur në vendimin e gjykatës apo të tjerë të ngjashëm me ta.

Puna ime, si dhe e kolegëve të ndershëm e dinjitozë në tregun mediatik shqiptar, është lehtësisht e verifikueshme në këtë epokë digjitale. Çdo gjë është publike dhe online.

Përsa i përket të dyshuarve, për të cilët kam denoncuar më parë në emisionin Opinion (më 21 shtator 2020), si dhe për të gjitha shkrimet dhe daljet e mia publike lidhur me denoncimet për dosjen e “Toyota Yaris,” Eldi Dizdarin, Suel Çelën dhe bandën e tij, “Torin,” “Lushnjarin” ose Mentor Mezinin alias Hektor Mezinin (që vazhdon investimet “strategjike” në jug dhe SPAK bënë sehir) dhe shumë personazh të tjerë, thuajse çdo ditë, mund ti gjeni të gjitha materialet në Google dhe YouTube. Mjafton një kërkim me fjalë kyçe, dhe çdo deklaratë e imja është e dokumentuar.

Gjithashtu, theksoj se unë kam vazhduar të shkruaj, flas e denoncoi këta individë edhe pas BISEDAVE të pretenduara mes kolegut Hoxha dhe individëve të tjerë të përmendur në dosjen e SPAK-ut, të përpiluar në emër të dyshimit nga Altin Dumani.

Falenderoj çdo lexues dhe mbështetës për mirëkuptimin dhe vëmendjen!
Misioni vazhdon 💪

Gëzuar ditën e pavarësisë dhe ditën e falenderimeve 🇦🇱🇺🇸🇽🇰