zoom

Aktualitet

Raporti për vitin 2023, kompania “Wizz Air” rekorde në vonesa fluturimesh dhe ankesa të qytetarëve

Të dhëna të bëra publike së fundmi, lidhur me kompanitë ajrore që operojnë në vendin tonë kanë nxjerrë në pah problematikat e linjës “Wizz Air”, ku shifrat rekord për periudhën janar-dhjetor 2023 faktojnë vonesat, anulimet dhe ankesat e shumta të qytetarëve.

Në tre tabela, ku shifrat raportohet të jenë dhënë nga vetë Autoriteti i Aviacionit Civil, si një raport vjetor shpjegohet mirë se si kjo kompani mban precedentët dhe shifrat më të larta të vitit të kaluar.

Nga të dhënat rezulton se Wizz Air është kompania që ka numrin më të madh të vonesave mbi 3 orë përgjatë vitit 2023, me një koeficent 26.7 për 1 mijë fluturime.

Sa i përket anulimeve, Wizz Air është në vendin e dytë me një koeficent 4.9 për 1 mijë fluturime, në vendin e parë është kompania Lufthansa me 5.2, e ndjekur nga Air Albania me 2.5.

Në raportin vjetor (kërkuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil prek Ekskluzive.al) tregohet se sa pasagjerë janë prekur nga këto anulime dhe vonesa të gjata dhe sa prej tyre janë kompensuar.

Duhet thënë se të dhënat e tabelës tregojnë vetëm ankesat që janë depozituar pranë Autoritetit të Aviacionit Civil, që sipas praktikës nuk kanë marrë zgjidhje nga kompania Wizz Air dhe nuk paraqesin numrin total të ankesave të pasagjerëve drejtuar kësaj kompanie.

Po ashtu ankesat nuk janë për pasasgjerë, por për rast, pra një ankesë mund të përfshijë edhe një familje me 2 ose më shumë pjesëtarë.

AAC ka regjistruar vetëm 115 ankesa kundër Wizz Air, 64 prej të cilave janë kompensuar dhe 51 të tjera janë ende pezull.

Nga ky raport vihet re se edhe kompanitë e tjera kanë probleme me kompesimin e udhëtarëve të ankuar.

“Zoom.al” e ka kthyer në vëmendje disa herë problematikën e shfaqur nga kompanitë ajrore me zvarritjen e procedurave, vonesat e fluturimeve, mungesën e korrektësisë, anulimet e fluturimeve dhe deri në moskompensimin e udhëtarëve. Në redaksinë tonë kanë mbërritur denoncime lidhur me kompaninë Wizz Air, raste këto të cilat janë bërër publikr nga ana jonë. Ky raport i fundit konfirmon mungesën e seriozitetit deri në abuzim me besimin e qytetarëve dhe biznesin. /ZOOM.AL/