zoom

Politikë

Rama zbulon SMS-në e Albin Kurtit: Më kërkoi vaksina për mësuesit, ja përgjigjja që i dhashë!

Kryeministri Edi Rama zbuloi, gjatë një takimi elektoral nga Rrogozhina, mesazhin që i ka dërguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me vaksinimin antiCovid. Rama tha se Kurti i ka kërkuar që Shqipëria të vijojë të ndihmojë Kosovën me vaksinimin e mësuesve.

“Më çoi një mesazh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke më falënderuar, e duke më kërkuar që, meqë ata morën vaksina për mjekët, do dëshironte që ne të ndihmonim për mësuesit. Po, i thashë, patjetër, ne do t’i japim ato që duhen e mundet të vaksinohen edhe mësuesit e Kosovës. E si bëhen këto, me llafe e dëngla, duke fjetur gjumë”, tha Rama.

Më tej, kryeministri Rama foli për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit, ku sulmoi opozitën, që sipas tij, nëse qytetarët duan që të ndërpritet vaksinimi, le ta votojnë.

“Ne kemi ardhur këtu me një skuadër të re. Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës ka qenë në emigracion, e ka lënë për të ardhur e kontribuar këtu. Ju jeni njerëz që punoni tokën dhe e dini shumë mirë se ajo për të dhënë hyzmetin e saj, e do punën çdo ditë. Toka do jo vetëm punën, por edhe dijen, eksperiencën, bashkëpunimin. Betejat e vogla të çdo ditë janë ato që vendosin betejën e madhe të fitores. Opozita ka po atë program që ka pasur gjithë jetën, po ato fytyra, me një ndryshim, që tani Saliu është bërë shkesë, bashkë me Ilirin e Monikën dhe kanë nxjerrë një Gjino aty me demek si fytyrë e re dhe thonë hajde t’i japim një nuse. Nuk bëhet kështu. Për të shkuar tek e ardhmja duhet fituar çdo betejë e vogël, me durim, punë dhe besim. Kjo na dallon neve nga ata. Kjo është çështje karakteri. Shikoni çfarë bëjnë. Si mundet t’i besohet për një moment fati i këtij vendi, e ardhmja e këtij vendi, e çdo qyteti, çdo fshati, çdo familjeje, një njeriu, i cili është vënë aty si kukull. Një kukull që qesh, që gënjen pa asnjë gajle, një kukull që s’ka kurajon të thotë një fjalë, kur nga ana tjetër ai që e kurdis, Saliu, del dhe bën thirrje për mosbërjen e vaksinës. Bën thirrje, duke u thënë njerëzve se vaksina të vdes, se vaksinat janë të skaduara, të ndaluara atje ku janë prodhuar.

Ky tjetri nuk flet fare. Sikur të dilte një nga skuadra jonë e të fliste, jo këto, se po të thoshte këto, dilte jashtë, nuk qëndronte dot më, por sikur të thoshte një fjalë sado të dyshimtë për këtë betejë, për këtë armë për të mundur armikun e padukshëm dhe unë të rrija pa folur! Një gjë duhet ta keni shumë të qartë, nëse doni të ndërpritet vaksinimi, shkoni votoni ata. Saliu thotë vaksina të vdes, ai tjetri, Peco Vasili nuk ka thënë gjë pa thënë, vetëm zi. Nëse sot ne jemi në këto kushte, po vaksinojmë në maksimum dhe është privilegji më i madh i gjithë jetës sime politike, kur shoh fytyrat e lehtësuara të gjyshërve e gjysheve pas vaksinimit, kjo nuk është bërë se erdhën vaksinat nga qielli, por është bërë me shumë këmbëngulje e duke lypur derë më derë, për të carë rrethimin nga BE, që na lanë jashtë e s’na thanë një dozë. Çfarë do bëja unë, do rrija të prisja? Ka vende të tjera përreth. Ne jemi shumë krenarë që po ndihmojmë edhe mjekët e Kosovës”, u shpreh kryeministri.