zoom

Politikë

Rama sulmon Markun, Gjekmarkajn dhe Vokshin: Ja ku i keni 3 ministrat e arsimit të KÇK-së

Kryeministri Edi Rama, në prezantimin e programit për arsimin u ndal te tre kandidatë për deputetë të PD-së, Mark Marku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi.

Ai tha se deri dy fushata më parë ishte koha kur arsimi shqiptar digjte brezat e nxënësve në zjarrin e keqqeverisjes së një tranzicioni të çoroditur.

“Nuk ishte para 70 vjetësh por deri para 7 vjetësh koha e zymtë kur figura e mësuesit ishte rrënuar krejtësisht, koha kur fati i vendit të punës së mësuesit varej nga tekat e politikës, teserat e partisë, tarafi dhe ryshfeti i dikujt jashtë profilit apo pa arsimin përkatës që i zinte vendin dikujt tjetër sa hap e mbyll sytë. Koha kur mësuesit e Shqipërisë ishin vetëm, të braktisur në mes të boshllëkut gërryes, kur arsimi shqiptar digjte brezat e nxënësve në zjarrin e keqqeverisjes së një tranzicioni të çoroditur. Nuk ishte në fushatat zgjedhore të shumë kohëve më parë pas përmbysjes së komunizmit, por deri dy fushata më parë, në 2013, gati çerek shekulli pasi komunizmi na la shëndenë koha kur mësuesit viheshin në rresht dhe mbushnin sheshet e mitingjeve elektorale të kryeministrit të kohës apo vendet e shfaqjes së kohës të partive të opozitës, si të ishin ata figurantët e paradave të dikurshme të 1 majit komunist që parakalonin kundër mbarë botës. A ju kujtohet ishte vetëm një dekadë më parë, rasti skandaloz kur mësuesit u përdorën për t’i bërë karshillëk opozitës që protestonte për të hapur kutitë e votimit. E po njësoj do të përdoreshin 2 vite më pas, për atë koncertin makabër në sheshin “Nën Tereza” kundër marshimit të heshtur nga opozita në nderin e dëshmorëve të 21 janarit. E detyroi DASH atë farë burrë shteti të hiqte dorë nga ai makabritet dhe mësuesit i shpëtuan një poshtërimi të egër. Sot mitingjet e kryeministrit në oborret e shkollave, ku fëmijët dëgjonin të sharat për opozitën duken si pjellë e një fantazie të shthurur, por kur drejtonin këta që duan të rikthehen në drejtim për ta vënë në arsimin në hyqmin e Markut, të Gjekmarkut ishte realiteti i hidhur i marrëdhënies së pushtetit me shkollat. Ja ku i keni tre ministrat e arsimit të KÇK-së, dy personazhe autosatirike, të klubeve të natës mediatike dhe një zonjë e njohur vetëm për fjalorin sharje shifës, foltore më foltore. Të tre reaksionarë, sharëxhinj, si sharrëxhinj, sharroj me sharrë dhe si sharëxhi, shaj e shaj”, deklaroi Rama.