zoom

Politikë

Rama shpërthen kundër gazetës austriake! Por a do ta padisë siç bëri me Bild-in?

Kryeministri Edi Rama ka reaguar rreth një artikulli të botuar nga gazeta austriake “Der Standard”, lidhur me dokumentin jo zyrtar të ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë i drejtohet gazetës austriake duke i thënë se nuk priste që një media me reputacion të lartë si ajo të bëhej një shpërndarëse e lajmeve false.

Edi Rama sqaron në postimin e tij se nuk ka thënë asgjë nga ato që thuhet se ka deklaruar rreth “non paper&map” dhe shton se kurrë nuk ka miratuar ndonjë vijëzim kufiri përgjatë vijave etnike, midis mes Serbisë dhe Kosovës.

Në një artikull kushtuar dokumentit jo zyrtar të ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, gazeta austriake “Der Standard” citon kryeministrin shqiptar Edi Rama të ketë deklaruar se e ka parë atë dokument dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufijve.

Media austriake shkruan më tej se vetë Rama, së bashku me Vuçiç, miratuan vizatimin e kufijve përgjatë vijave etnike midis Kosovës dhe Serbisë, tre vjet më parë.

Në vitin 2019, në një intervistë për mediat zvicerane, kryeministri Edi Rama foli ndër të tjera dhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Rama u shpreh asokohe se diçka e tillë do të ishte e natyrshme.

“Kjo është një gjë e natyrshme”, deklaroi Rama në një intervistë për NZZ. Sipas tij, edhe kufijtë e Kosovës me Malin e Zi dhe Maqedoninë janë ripërcaktuar në vitet e fundit.

Në të njëjtën kohë, Rama theksoi se Shqipëria nuk ishte e përfshirë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

“Se si duhet të jetë marrëveshja, këtë duhet ta vendosin Kosova dhe Serbia”.

Më tej shtoi:

“Kufijtë etnikë duhet të shmangen në mënyrë absolute”.

Megjithatë, ai nuk e përcaktoi më tej se çfarë quan një ndryshim natyral të kufirit.