zoom

Aktualitet

Rama shkarkon të gjithë drejtorët e Kadastrës

Tre vjet më parë, për të amortizuar pakënaqësinë e qytetarëve ndaj zyrave të Hipotekës, kryeministri Edi Rama u kërkoi drejtorëve të kësaj administrate publikisht dorëheqjen.

“Kush e ka të drejtën t’i shkelë qytetarëve të drejtën e tyre për afatet ligjore? Janë detyruese. Tallje kolektive ndaj njerëzve. Ta marrin këtë vendim me dinjitet. Nuk jeni për këtë punë, ikni që tani. Të gjithëve komplet ju ftoj të jepni dorëheqjen brenda 24 orësh” – deklaronte ai në korrik të vitit 2017.

Pakënaqësia ndaj zyrave të Hipotekës së shndërruar në Kadastër vijon. Qytetarët vazhdojën të sorollaten për regjistrime pronash.

Dhe kryeministri u është kthyer edhe njëherë lëvizjeve të drejtuesve të kësaj zyre. Ai ka urdhëruar lëvizjen e të gjithë drejtorëve, përveç kreut të Kadastrës, mikut të tij të vjetër, Artan Lames, sic mëson Zoom.al.

“Të gjithë të tjerët do të shkarkohen ose do të lëvizin në pozicione të tjera”, i tha një burim Zoom.al.

Nuk është e qartë nëse “ndëshkimi” i Ramës ndaj drejtorëve të Kadastrës ka të bëjë sërish me pakënaqësinë e pandryshueshme të qytetarëve apo me një strategji të tij elektorale për të lehtësuar disi procedurat në këto zyra që kanë të bëjnë direkt me qyetarët dhe për të prishur “linjat” që kanë funksionuar deri tani për të zgjidhur çështje të ndryshme në Kadastër.

Thuajse çdo qeveri, në periudhë zgjedhore i lehtëson disi procedurat në të gjithë administratën, në mënyrë që të ulë pakënaqësinë në elektorat dhe duket se lëvizja e drejtorëve të Kadastrës ka të bëjë më shumë me zgjedhjet e 25 prillit. /Zoom.al