zoom

In Zoom

RAMA, PLAN PËR KOSOVËN PA KOSOVËN. Kush qëndron pas draftit të tij për Scholz e Macron?

Një dokument konfidencial i një OJQ-je ndërkombëtare, i publikuar nga një portal i drejtuar nga Baton Haxhiu, një njeri i afërt i kryeministrit të Shqipërisë, e ka nxitur Edi Ramën të futet në një qorrsokak të paprecedent në raport me Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë tha sot, në një konferencë të posaçme për shtyp, se këtë draft ia ka propozuar presidentit francez Emannuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz. Tha se ishte i shqetësuar për Kosovën dhe u ra daulleve të alarmit për “ditë të zeza” që e presin Kosovën nëse nuk pranon zgjidhjen e ndërkombëtarëve.

Por kur u pyet nga gazetarët nëse këtë draft e kishte konsultuar apo jo me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, apo me ndonjë aktor tjetër në Kosovë, tha prerë “Jo”.

E thënë thjesht, referuar dokumentit të OJF-së ndërkombëtare që kërcënonte me “non grata” Albin Kurtin dhe ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, Edi Rama ka vendosur të japë mend se si mund ta shpëtojë ai i vetëm Kosovën, pa pyetur as partinë në pushtet, Vetëvendosjen, as partitë në opozitë, LDK, PKD, AAK, NISMA etj”.

Duke parë sa të pazotë janë politikanët në Kosovë, që “nuk janë zot në shtëpinë e tyre”, sepse kështu thuhej edhe në dokumentin konfidencial të OJQ-së ndërkombëtare, kryeministri i Shqipërisë ka vendosur t’i anashkalojë dhe injorojë tërësisht ata dhe ta zgjidhë vetë çështjen me të mëdhenjtë e botës, që ai vetë i ka përzgjedhur.

Kështu, dy drejtuesit kryesorë të BE, Macron e Scholz do ta lexojnë draftin e kryeministrit shqiptar dhe sipas asaj që mendon kryeministri i Shqipërisë, ata do ta firmosin pa pyetur as as Albin Kurtin, as Vjollca Osmanin, as Lumir Abdixhikun, Memli Krasniqin, Ramush Haradinajn e askënd tjetër në Kosovë.

Por nëse kreu i qeverisë shqiptare ka vendosur ta tregojë në këtë mënyrë “rëndësinë” dhe “peshën” që ka ai te ndërkombëtarët apo te Kosova, hartimi i një drafti pa e pyetur Prishtinën zyrtare përbën një skandal të përmasave të mëdha.

Është një futje hundësh që synon të trazojë edhe më tej qeverinë e Kosovës, sesa të shpëtojë Kosovën.

Është njësoj sikur Albin Kurti t’u propozojë ndërkombëtarëve në Bruksel e Uashington një draft se si mund të luftohet korrupsioni galopant në Shqipëri, se si të bëhet e mundur që të mos vidhet masivisht nëpërmjet PPP-ve, se si të mos vidhen zgjedhjet me mekanizma jo -demokratikë, se si kryeministri i Shqipërisë nuk duhet të shoqërohet me njerëz me precedentë kriminalë, se si të mos futen në parlament të dënuar për trafiqe të ndryshme, se si porti i Durrësit të punojë vetëm si port tregtar dhe pasagjerësh dhe jo si port kokaine e drogash të tjera.

Hartimi i një drafti për Kosovën pa e pyetur atë është njësoj sikur Edi Rama të hartojë një draft për të zgjidhur situatën në Tajvan, në Ukrainë, në Iran, Irak, Afganistan, Etiopi, Jemen e Sudan.

ÇFARË THUHET NË DOKUMENTIN E OJQ-së NDËRKOMBËTARE

Shpallje të kryeministrit Albin Kurti dhe të ministrit të tij të Brendshëm, Xhelal Sveçla “non grata”.
Kthim të Veriut në para-gjendjen e vitit 2004 ku KFOR merr kontrollin e plotë.
Bllokim të fondeve nga SHBA dhe BE.
Pasivitet ndaj fushatës së Serbisë për çnjohje.
Bllokim të proceseve integruese.
Përjashtim eventual i Kosovës nga ndonjë organizatë ndërkombëtare ku veçse është e anëtarësuar.

“Në rast që situata në terren agravohet dhe vjen deri te rrezikimi serioz i sigurisë së përgjithshme, përfshirë edhe rrezikimin e trupave të KFOR-it, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mund të shpallen si non-grata me justifikimin që paraqesin rrezik për sigurinë dhe paqen”, thuhet në dokument.

TË KUJT JANË PROPOZIMET?

Propozimet janë të Komunitetit Trans-Altantik, pas të cilës qëndron një OJQ e njohur ndërkombëtare, me ndikim të fortë në Ballkan.
Mediat pro-qeveritare në Tiranë e shitën atë sikur ishte “komuniteti ndërkombëtar”, një togfjalësh që përfshin kancelaritë kryesore të botës perëndimore.
Asnjëra prej tyre nuk e tregoi OJQ-në që e kishte hartuar të për t’ia çuar në tryezë Ramës e ndoshta edhe Vuçiçit.

QËNDRIMI AMERIKAN

Shtetet e Bashkuar atë Amerikës kanë shprehur pakënaqësi ndaj Albin Kurtit për dërgimin e policisë speciale në 4 komunat e veriut të Kosovës.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan, i angazhuar si i dërguar i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha një ditë më parë se ai do të duhej të raportonte deri të premten te eprorët e tij për vendimin e Albin Kurtit, nëse do t’i pranojë apo jo kushtet: zgjedhje të reja në 4 komunat dhe tërheqje të policisë.

QËNDRIMI I ALBIN KURTIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se po e shqyrton kërkesën për ribërjen e zgjedhjeve në 4 komunat e veriut.
Ai ka deklaruar se kryetarët e 4 komunave janë zgjedhur në mënyrë legjitime dhe se qeveria e Kosovës nuk ka asnjë përgjegjësi për bojkotimin e zgjedhjeve nga Serbët.
Zgjedhjet, – ka thënë Kurti – janë njohur nga faktori ndërkombëtar.
Ai ka sqaruar më tej se nuk mund t’u kërkojë kryetarëve të komunave të mos shkojnë në zyrat e tyre për të ushtruar detyrën teksa ai vetë po e ushtron detyrën nga zyra e kryeministrit.

MARRËDHËNIET RAMA – KURTI

Marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit Albin Kurti janë aktualisht në pikën më të ftohtë. Aq i ulët është niveli i tyre, saqë Rama merr përsipër të propozojë zgjidhje për Kosovën pa u konsultuar më parë me Kurtin.

Albin Kurti ka qenë kundër planit Rama – Vuçiç – Thaçi për shkëmbimin e territoreve. Ai po ashtu është shprehur kundër projektit “Open Balkan”, aq sa Rama e vazhdoi atë vetëm me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë në konflikt me çdo kryeministër të Kosovës, Isa Mustafën apo Ramush Haradinajn, të cilët kanë kërkuar reciprocitet me Serbinë, ndërsa nga ana tjetër është shfaqur miqësor me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, një ish -bashkëpunëtor i Sllobodan Millosheviçit, që sa herë serbët e veriut krijojnë konflikte, dërgon ushtrinë në kufijtë e Kosovës. /Zoom.al