Aplikacion
Rama deklaroi se me AMTP-të në këtë zonë është bërë lojë e ndyrë kriminale. Sipas tij, probleme me tokat dhe pronat në Himarë ka pasur në pushtetin e dikurshëm. Ai tha se si kryeministër do të bëjë të pamundurën që banorët në Himarë, por edhe në çdo zonë të Shqipërisë, të gëzojnë pronën e tyre ose të lënë trashëgim nga të parët e tyre.
Duke iu referuar prejardhjes, pasi nëna e tij është nga Vunoi, Rama tha se asnjëherë nuk i ka kërkuar pronat që i takojnë, ndërsa shtoi se di çdo histori për këto çështje. Mes të tjerash ai vlerësoi banorët e Himarës, se janë ‘njësha në politikë, madje globale’.
Pjesë nga fjala e Ramës:
“Do bëj të pamundurën njësoj si për Tropojën, Himarën, Thethin, Malësinë e Madhe, Kukësin dhe Sarandën për çështjen e pronësisë. Kjo çështje ka të bëjë me regjistrimin e pronave pas ndryshimit të sistemit, në shumë zona nuk është pranuar ligji 7501. Ka propagandë sikur ne duam të marrim prona të banorëve dhe për t’ua dhënë të ashtuquajturve oligarkë. Nuk ka asnjë qëllim apo prapamendim për Himarën. Nuk ka asnjë rast që toka t’i jetë marrë një pronari nga shteti. Me AMTP-të është bërë lojë e ndyrë kriminale, ku janë shfaqur si pronarë individë të lidhur me pushtetin e atëhershëm, që i kanë vënë trashigimtarët përpara zgjedhjes që të pranojnë të shesin pronën e tyre, shitja kishte mbi kokë kërcënimin që nëse nuk e shet ti nuk ke për ta gëzuar. Kjo ka qenë historia më parë. Sot pronat shiten nga pronarët apo trashëgimtarët, shpesh 3-4 herë më shumë para se në Korfuz.
Pronat e Himarës, janë prona të mbështetura në letra, të lidhura me banorë këtu dhe jo në Hënë. (Ndërhyn dikush) Flasim me radhë. Ka probleme të regjistrimit dhe konflikte mes banorëve dhe anëtarëve të një familje dhe kjo e shkakton atë gjë. Ndaj shpesh herë këtu shiten pronat nga 2 ose më shumë herë. Flas me fakte, jo me fantazi. E njoh kaq mirë. Secili nga ju njeh pjesën e tij, unë pjesën e të gjithëve. Me radhë (Ka ndërhyrje nga banorët). Po ta përsëris, pretendimet e brendshme janë pa fund këtu, ‘e ke ti apo unë’. Kjo për shkak të mungesës së regjistrimit. Në mënyrë të përsëritur e kemi bërë thirrje për regjistrime për aplikim. Edhe këto 437 dokumente, certifikata që kemi këtu sot, plus dhe disa të tjera që janë gati, por nuk janë këtu, janë 4 mijë për t’u bërë. Janë bërë me shtytje, me hosten, falë mbështetjes së prefektit që ia kam kërkuar që ditën e parë. I kam thënë; do të jesh prefekt i Vlorës, por do të kesh si detyrë që të japësh certifikatat e pronësisë banorëve të Himarës. Duhen bërë letrat siç duhet që nesër mos t’i kontestojë dikush. E njoh mirë unë këtë zonë, e njoh, e kam në gjak, ia di të tëra historitë. Mund të flisni ça të doni me ndonjë që vjen nga Durrësit dhe nuk di se ça bëhet. I di dhe konfliktet brenda për brenda familjeve. Unë vetë dhe e ndjera ime më, nuk kemi kërkuar kurrë asgjë. Ju e dini mirë se ku e kemi rrënjën këtu, por nuk kemi kërkuar asgjë. Asnjë metër katror. Por ama nuk është se nuk e di historinë, dhe të pronës sonë atje.
Të nipave dhe mbesave të kushërinjve, të krushqve dhe të të gjithëve. I di mirë. Ti ndajmë gjërat, ca është e jotja, është e jotja dhe e krushkut i takon atij. Do të më shihni pas disa javësh, do të jem më Theth, edhe atje të njëjtën gjë, shtëpitë e të parëve që nuk kanë marrë certifikatat akoma sot, jo për faj apo ndonjë plan të ndonjërit për t’u marrë shtëpitë. Se dhe atje shkojnë vizitorë dhe hotelet janë plotë. Himariotët janë himariotë, dhe pikë. Secili i di vetë se ku i ka rrënjët. Ne nuk i ndajmë as shqiptarët, as në veri as ju dhe jo të ndajmë himariotët. Kush ju thotë diçka tjetër, shiheni mirë se pse e thotë. Shqiptarëve s’ua ha qeni shkopin, se nuk ua fut njeri në politikë. Kanë pasur të bëjnë me lloj lloj marifetesh. Mes shqiptarëve, himariotët janë njisha, politikë jo lokale, por globale”, tha Rama.