zoom

Ekonomi

Rama: Heqim tatimin për pagat deri në 50 mijë lekë

Kryeministri Edi Rama, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS-së, është ndalur edhe te oferta që socialistët do u bëjnë qytetarëve për zgjedhjet vendore.

Ai tha se një nga risitë që do të ndërmarrë qeveria socialiste në vazhdim do të jetë edhe heqja e tatimit për të ardhurat personale deri në 50 mijë lekë të reja.

“Kemi diskutuar për listat për këshilltarët dhe nga ana tjetër përtej këtij aspekti është dhe aspekti programatik i fushatës, specifikave të zonave të ndryshme si dhe përmbajtja thelbësore në rrafshin kombëtar në një moment kur përtej të gjitha vështirësive që kemi hasur dhe përtej kontekstit aspak të jashtëzakonshëm të ekonomisë si rezultat i luftës, i shtrëngimeve në mbarë Europën jemi duke ecur mirë. Kemi bërë një hap të rëndësishëm për rritjen e pagës për mjekët specialistë që më në fund duke filluar nga muaji prill do të shpërblehen sipas pagave të larta të rajonit. Jemi barazuar me Serbinë në pagë, jemi mbi Kosovën dhe në një mesatare të lartë. Po bëjmë një ligj të ri për një tërësi profesionesh dhe detyrash në shërbimin publik që kanë të bëjnë me aftësi të veçanta, duke filluar nga aftësitë dixhitale, në kushtet kur duhet të forcojmë mbrojtjen kibernetike, duhet të ofrojmë paga konkurruese në treg. Procesi i integrimit kërkon një rritje të numrit të shkruesve të drafteve ligjore dhe për këtë kemi nevojë të rrisim pagat, deri te agronomë dhe profesione të tjera që do të bëjnë që të ketë më shumë interes nga profesionistët.

Nga ana tjetër me ligjin për tatimin për të ardhurat personale heqim tatimin për pagat deri 50 mijë lekë të reja”, tha Rama.