zoom

Aktualitet

Raketa kineze 21-tonëshe që ka dalë nga kontrolli, rrezikon të bjerë edhe në Shqipëri

Mbetjet e një rakete të madhe kineze, që u lëshua në hapësirë javën e kaluar, pritet të hyjnë në atmosferën tonë këtë fundjavë.

Raketa Long March 5B u nis nga ishulli kinez i Hainan më 29 prill dhe transportonte modulin Tianhe, i cili kishte furnizime për ekuipazhin kinez në stacionin hapësinor.

BBC thekson se ekspertë të ndryshëm të modelimit të mbetjeve hapësinore mendojnë se në orët e para të së dielës raketa do të hyjë në atmosferë. Sidoqoftë, parashikime të tilla janë gjithmonë të pasigurta.

Zona e rënies së mundshme në këtë rast është e kufizuar akoma më tej nga trajektorja e fazës së raketës. Me parashikimet e deritanishme është e mundur tashmë të përjashtohet që çdo mbeturinë mund të bjerë më në veri sesa afërsisht 41.5 gradë gjerësi gjeografike veriore dhe më në jug se 41.5 gradë gjerësi gjeografike jugore. Pjesë e këtyre vendeve të rrezikuara është dhe Shqipëria.

Shanset që njerëzit të goditen nga një pjesë e mbetjeve hapësinore janë shumë të vogla, për shkak se një sipërfaqe e madhe e Tokës është e mbuluar nga oqeani, dhe sepse ajo pjesë që është tokë përfshin zona të mëdha të pabanueshme.

Megjithatë, ekziston një shans që pjesët e raketës mund të bien në një zonë të populluar, si në maj të vitit 2020, kur copa nga një raketë tjetër kineze Mars Long 5B ranë në Bregun e Fildishtë, duke dëmtuar disa ndërtesa, megjithëse nuk pati të lënduar.