zoom

Ekonomi

Qeveria shpenzoi 340 mln euro për të dështuar me Covid-19

Qeveria shqiptare shpenzoi rreth 340 milion euro për menaxhimin e Covid-19 ku shuma e akorduar në buxhetin e shtetit 2020 e rishikuar ishte 16 miliard lekë duke shtuar dhe vlerën totale të Garancisë Sovrane prej 25 mld lekë.

Përsa i përket vaksinimit deri në maj 2020 shuma e shpenzuar për vaksinimin shkon në 1,399,088,015 lekë sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Politikat e ndjekura nga MSHMS dhe institucionet shëndetësore publike dhe jopublike nuk realizuan ofrimin e shërbimit shëndetësor si një e mirë publike, mbulimi financiar në rastin e COVID-19 nga sigurimet nuk ishte i plotë dhe nuk garantoi ndonjë ndikim të ndjeshëm në uljen e shpenzimeve nga xhepi për shëndetësinë.

Shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë ishin të larta si për personat e siguruar, ashtu dhe për personat e pasiguruar, gjë e cila ngre pikëpyetje dhe mbi efikasitetin e skemës aktuale të sigurimeve sipas raportit të KLSH-së.

Raporti i Bankës Botërore “Ndikimi i COVID-19 në sistemet shëndetësore në Ballkanin Perëndimor” nxjerr në pah se “Shpenzimet për frymë për sistemet shëndetësore janë ndjeshëm më të ulëta se mesatarja e BE-së dhe mënyra me të cilën shpenzohen fondet e pakta është jo efikase ose jo e harmonizuar me profilin e sëmundshmërisë në rajon”.

Një nga premtimet e pambajtura nga Ministria e Shëndetësisë për Covid-19 është edhe rimbursimi 100% i trajtimit ambulator për pacientët me covid 19, të siguruar dhe të pasiguruar. Në fjalën e vet mbajtur gjatë një komunikimi me median më datë 19.11.2020 ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se: “Bazuar në Urdhrin Nr. 545 datë 19.11. 2020 do të kryhet rimbursimi 100% i trajtimit ambulator për pacientët me covid 19, të siguruar dhe të pasiguruar”. Sipas KLSH kjo rezultoi e parealizuar.

Mungesën e fondeve për sistemet shëndetësore e vuajnë familjet shqiptare, me shpenzimet e larta nga xhepat e tyre dhe që nuk mbulohen nga sigurimet shëndetësore. Për vendin tonë kjo shkon deri në 50%, në krahasim me 14,9% në BE sipas KLSH. Këto shifra tregojnë se sa i cënueshëm është sistemi shëndetësor edhe pa u përballur me sfida të jashtëzakonshme.

Pasojat e pandemisë në ekonominë shqiptare u përkthyen në shtim të papunësisë, në rënie të fuqisë blerëse, në falimentim apo pezullim biznesesh, e sidomos bizneseve familjare. Gjithashtu pati rënie të prodhimit vendas dhe shkëmbimeve tregtare, individ që nuk patën mundësi të paguajnë kreditë e marra apo detyrimet e tyre financiare si dhe penalizimi i drejtpërdrejtë i turizmit dhe ngrirje të investimeve.

Deri tani nuk ka akoma ndonjë plan të plotë konkret apo qoftë edhe draft, disamujor apo disavjeçar për rimëkëmbjen ekonomike sipar raportit të KLSH.

Sfida kryesore për të ndryshuar perceptimin negativ të publikut dhe për të krijuar e rrënjosur besimin në sistemin e shëndetësisë shqiptare është zgjerimi i aksesit dhe ulja e pabarazisë në shërbime, mbrojtja ekonomike e popullatës, zgjerimi i larmisë së shërbimeve dhe rritja e gatishmërisë së sistemit.

Sipas udhëzimeve të OBSH-së, është e rëndësishme të luftohen “diferencat e padrejta dhe të shmangshme në shëndet dhe në ofrimin e shërbimit shëndetësor”./ Armand Kullau