Aplikacion
Sipas selisë blu vetëm për karburantin e përdorur nga avioni në këtë udhëtim janë harxhuar rreth 120 mijë euro.
Duke e denoncuar këtë si një keqpërdorim të parave të shqiptarëve, Partia Demokratike, fillimisht me deputeten Oriola Pampuri dhe më pas edhe me deputetin Kreshnik çollaku, i bëri kryeministrit Edi Rama disa pyetje publike.
Më konkretisht ata e pyetën kryeministrin nëse e përdori charterin privat në këtë udhëtim dhe sa para ka shpenzuar vetëm për këtë fluturim.
Pyetje të cilave sot kryeministri me anë të një video të shpërndarë në formën e përgenjeshtrimi publik, nuk e pati të vështirë t’i përgjigjet se nuk e ka përdorur avionin në këtë rast dhe se kishte udhëtuar me një avion komercial me një biletë ekonomike që kushtonte afro 350 euro personi.
Madje ai, pa dhënë shumë shpjegime, hodhi poshtë edhe peretendimet e selisë blu se vetëm kosto karburanti për një udhëtim me avionin qeveritar harxhohen 120 mijë euro.
“Sasia më e lartë vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare ka qenë 4.623.089 lek në vitin 2014. Ndërsa shifra 120 mijë euro karburant për fluturim privat, është produkt i të njëjtës aritmetikë fantastiko-shkencore, që nga 1958 ulëset e Pallatit të Kongreseve nxori 5004 delegatë. Po t’i shumëzosh këta delegatë me 30 dhe pastaj të zbresësh 30, dalin fiks 120 mijë euro karburant për 7×7 brava, baraz 42 fluturime” ironizoi Rama pretendimet e PD.
Partia Demokratike nuk reagoi më pas këtij shpjegimi nga ana e kryeministrit, ndoshta e ka lënë për ndonjë ditë tjetër, por ajo që bie në sy në pyetjet e saj është se nuk merret me thelbin e çështjes.
Thelbi ka të bëjë me mënyrën sesi qeveria ka arritur ta marrë në pronësi këtë avion, i cili kushton të paktën 60 milionë euro, por përpiqet ta kapë kryeministrin me një udhëtim të veçantë, të cilin vërtetë ndoshta e kryer me një avion komercial dhe jo me avionin qeveritar.
Pak javë më parë Zoom.al publikoi një artikull me të dhëna të plota për këtë çështje, duke faktuar përdorimin e këtij avioni nga ana e kryeministrit në të paktën 27 fluturime me një kosto mesatare prej 60 mijë euro për udhëtim.
Gjithashtu Zoom.al faktoi se avioni, pavarësisht pretendimeve të qeverisë, se i ka siguruar shërbimet e tij falë një marrëveshje me air Albanian, në të gjitha faqet ndërkombëtare të aviacionit rezulton i regjistruar si një aset i qeverisë shqiptare.
Por për të dyja rastet, si atë të blerjes apo edhe atë një marrëveshje përdorimi, qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë transparencë. Madje në asnjë prej regjistrave shtetërore nuk rezulton asnjë gjurmë e një marrëveshje të tillë apo edhe pronësisë së këtij avioni. E ndërsa në vendin tonë edhe një motorçikletë je i detyruar ta regjistrosh, qoftë kur e merr në përdorim apo edhe kur e ble, në rastin e një avioni që shërben afro 60 milionë euro ky detyrim nuk vlen.
E në fakt, krahas medias, ajo që mund ta zbardhë deri në fund këtë çështje është pikërisht opozita, e cila në radhë të parë duhet të ngrejë pyetjet publike dhe të kërkojë llogari nga qeveria se cili është statusi juridik dhe pronësor i këtij avioni.
Në rast se ai është marrë nëpërmjet një marrëveshje përdorimi apo dhurimi, pse nuk është publikuar kjo marrëveshje.
Nëse është dhuratë e Turqisë, cili është interesi i kësaj të fundit për një dhuratë kaq të shtrenjtë?
A ka rol në këtë mes biznesmeni Sinan Idrizi që qëndron pas “Air Albania” dhe nëse po, cili është roli i tij?
Si paguhen paratë e operimit të këtij avioni nga qeveria shqiptare?
Nëse ato paguhen nga “Air Albania”, cili është interesi i kësaj të fundit dhe a mos ndoshta këto kosto po e falimentojnë?
Por përveç të bërit pyetje publike, Partia Demokratike si një forcë parlamentare ka të drejtën kushtetuese dhe ligjore që të kërkojë edhe zyrtarisht informacion nga qeveria dhe gjithë institucionet e tjera shtetërore për avionin qeveritar që përdoret nga kryeministri Edi Rama.
Madje në rast se ato do hezitojnë sërish të japin informacion për këtë çështje, opozita parlamentare ka të drejtën të kërkojë edhe ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për këtë çështje.
Çështja është nëse është vërtetë e interesuar opozita ta mësojë të vërtetën apo shtiret të bëjë opozitën me pyetje që nuk prekin thelbin e problemit. /Zoom.al