zoom

Aktualitet

Pushteti përpara shëndetit/ Përse nuk ndalen tubimet politike në pandemi?

Kur më 30 maj Lulzim Bashës iu grumbulluan dhjetëra njerëz në një rrugë në zonën e Kënetës në Durrës, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh e tmerruar.

“Si ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jam e tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh”, ishte reagimi i Manastirliut.

“Si mund të jepet kjo shfaqje dhe cili lider në botën e sotme jep këtë shembull thjesht për interesin e vet politik?!”, ngriti ajo me shqetësim pyetjen.

6 muaj më vonë, takimet politike nuk janë ndalur, as nga Basha e as nga Rama.

Tani vendi është në valën e dytë të covid-19 dhe qeveria ka nisur të kufizojë sërish lëvizjet. Por takimet me pjesëmarrje të madhe janë të përditshme.

Po bëhen në vende të hapura, por janë sërish grumbullime. Në televizione, Rama apo Basha shfaqen të rrethuar nga njerëz që mbajnë maska e ruajnë distancën, por para apo pas këtyre rreshtimeve të rregullta nuk dihet se ç’bëhet e as sa e kanë të mundur ta ruajnë distancën të ftuarit e tyre.

Astrit Patozi, një kritik i dyshes Rama – Basha i kërkoi kryeministrit Publikisht që t’i ndërpriste tubimet.

«Nëse thua se je duke u bezdisur nga opozita e Bashës, që e ka kthyer prej kohësh në kalë beteje temën e Covid 19, të paktën mund t’i shmangësh takimet elektorale këto ditë të vështira, kur infektimet janë rritur frikshëm. Ndryshe, i bie që i thua popullit tënd mos bëj atë që bëj unë, por vetëm atë që them unë. Sado ta përgatisësh mirë skenografinë në natyrë, me distancat sociale korrekte apo me maskat në gatishmëri, prapëseprapë ato grumbullime militantësh dhe figurantësh mbeten vatra të mundshme të përhapjes së virusit.»

Po përse kryeministri nuk i eviton këto grumbullime që mund të rezultojnë të rrezikshme, sic ishte kongresi i socialistëve i thirrur pak ditë para mbylljes së madhe të marsit, ku dyshohet se u infektuan dhjetëra persona?

Nëse vërtet grumbullimet shërbejnë si përhapës të tij, çfarë e detyron kryeministrin të mos i evitojë ato? «Një grusht vota», shkruan Patozi.

Por a mund të rrezikohet shëndeti i qytetarëve për pushtet?

Në maj, Ministrja e Shëndetësisë i kërkonte pikërisht këtë Bashës.

“U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme dhe zotit Basha të mos i faturojë njerëzve e vendit, koston e papërballueshme të luftës së tij të dëshpëruar për pushtet!”, apelonte Manastirliu.

A nuk është koha që ky apel t’i përsëritet edhe Ramës?

 

 

 

 

PËR NJË GRUSHT VOTASH MË SHUMË…

Nëse thua se je duke u bezdisur nga opozita e Bashës, që e ka kthyer prej kohësh në kalë beteje temën e Covid 19, të paktën mund t’i shmangësh takimet elektorale këto ditë të vështira, kur infektimet janë rritur frikshëm.

Ndryshe, i bie që i thua popullit tënd mos bëj atë që bëj unë, por vetëm atë që them unë.

Sado ta përgatisësh mirë skenografinë në natyrë, me distancat sociale korrekte apo me maskat në gatishmëri, prapëseprapë ato grumbullime militantësh dhe figurantësh mbeten vatra të mundshme të përhapjes së virusit.

Jo për gjë, por nuk ke asnjë arsye të nxitosh, sepse ata të tjerët nuk kanë ndërmend të zbresin në fushë, ngaqë janë duke thënë se po presin Komisionin e Venecias, i cili mund të flasë diku nga mesi i dhjetorit.

Deri atëherë mund t’ia kursesh Shqipërisë ca qindra apo mijëra infektime, në radhë të parë, duke mos shërbyer si model i keq, sepse interesa të vogla politike nuk mund të mbizotërojnë mbi kërcënimin kombëtar, që përfaqëson një shpërthim i shifrave të epidemisë.

I cili mund të marë me vete, jo vetëm jetë njerëzish, por bashkë me ta edhe ekonominë e vendit për një grusht votash më shumë.