zoom

Aktualitet

Punonjësi i Bashkisë Elbasan ra duke riparuar ndriçimin dhe vdiq në spital, në kërkim përgjegjësi

Një punonjës i Bashkisë Elbasan ka humbur jetën aksidentalisht dje, pasi ra nga vinçi teksa ishte duke riparuar llambat elektrike në shtyllat e ndriçimit, në lagjen “5 Maji”.

Policia njoftoi sot se si pasojë e ngjarjes është shpallur në kërkim htetasi M. Q., 54 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë përgjegjësi i Sektorit të ndriçimit pranë Drejtorisë së shërbimeve Publike në A.Sh.P.U, Bashkia Elbasan.

54-vjeçari u shpall në kërkim për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

“Në vijim të njoftimit të djeshëm, bëjmë me dije se, Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. Ç., 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Administratës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë e Shërbimeve Publike dhe Urbane, Elbasan.

Në vijim të veprimeve hetimore u shpall në kërkim shtetasi M. Q., 54 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë përgjegjësi i Sektorit të Ndriçimit pranë Drejtorisë së shërbimeve Publike në A.Sh.P.U, Bashkia Elbasan”, tha policia vendore.

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, teksa viktima 56-vjeçar, punonjës i Bashkisë, i punësuar në këtë sektor, u rrëzua nga vinçi, gjatë punës për riparimin e llambave elektrike në shtyllat e ndriçimit, në lagjen “5 Maji” dhe si pasojë e dëmtimeve humbi jetën në spital.

“Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim”, theksoi policia. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura