zoom

Aktualitet

Punësimi “me parti” u zgjerua me 13.3%, zgjedhjet rrezikojnë fryrjen e mëtejshme

Punësimi në administratën publike është rritur në mënyrë të shpejtë gjatë dekadës së fundit, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të reduktuar numrin e ministrive dhe për të rritur produktivitetin e punës.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në fund 6-mujorit të parë arriti në 185,696 persona nga rreth 163,885 që u gjeten në vitin 2014.

Të dhëna më të detajuara nga raportimet zyrtare tregojnë se administrata publike është fryrë me disa funksione të reja, por ndërkohë rritja më e madhe ka ndodhur në ndërmarrjet e ujësjellësit në pushtetit vendor.

Valët e rritjes së punësimit në shtet kanë rriten në prag fushatash zgjedhore,. Psh vitin e kaluar në vitin 2021 kur ishin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare punësimi në sektorin shtetëror u zgjerua me rreth 8 mijë persona ose me 4% brenda një viti.

Në pranverë të vitit të ardhshëm vendi do të zhvillojë zgjedhjet për pushtetin lokal. Duke qenë se në shumë qarqe të vendit sidomos ato të varfra, shteti është punëdhënësi më i madh do të stimulojë më fort punësimin.

Qeveria “Rama 3” ka rreth 15 ministri nga 12 që ishin në qeverinë “Rama 2” dhe 19 ministri që ishin në qeverinë “Rama 1”.

Pesha e shtetit në ekonomi është rritur ndjeshëm vitet e fundit, Sipas të dhënave të INSTAT, pesha e administratës publike në ekonomi, arsimi, shëndetësia dhe aktivitet të punës sociale në totalin e PBB-së shënuan rritje me 2.5 pikë përqindje nga viti 2005 në vitin 2020. Në vitin 2009 administrata publike formonte 9,7 për qind të totalit të PBB-së së vendit, ndërsa në vitin 2020 arriti në 12.4%.

Rritja e peshës së administratës në ekonomi nisi gradualisht pas vitit 2013.

Në vitin 2020, nga 10 degët kryesore të ekonomisë, administrata publike ishte i treta për peshën më të lartë në ekonomi, pas bujqësisë me 19.2 %, dhe sektorit të tregtisë, akomodimit dhe transportit me mbi 15%.

Në vitin 2005 administrata publike ishte sektori i katërt më i madh pas, bujqësisë, tregtisë dhe ndërtimit.

Shqipëria hyn në vendet ish-komuniste që trashëgoi një ekonomi ku shteti ishte ofruesi i vetëm i punësimit deri në viti 1990.

Pas këtij viti, pesha e sektorit shtetëror në ekonomi dhe punësim do të vinte në rënie nga viti në vit për shkak të adoptimit të modelit të ekonomisë së tregut, por shtetit ka nisur të rrisë fort praninë e tij në ekonomi në dekadën e fundit./Monitor