zoom

Bota

Pse po bie borë në shkretëtirën e Saharasë?

Të gjithë e njohim Saharanë si shkretëtirën më të thatë në botë, me temperatura që rriten deri në 50 gradë Celcius. Së bashku me Luginën e Vdekjes në Kaliforni dhe disa qytete pranë ekuatorit si Dallol në Etiopi dhe Wadi Halfa në Sudan, është një nga vendet më të nxehta në Tokë.

Shkretëtira e madhe shtrihet në 11 vende: Algjeri, Chad, Egjipt, Libi, Mali, Mauritania, Marok, Nigeri, Sahara Perëndimore, Sudan dhe Tunizi. Dunat e rërës mund të arrijnë deri në 180 metra lartësi dhe uji është i pakët në rajon. Pra, kur fotot e fundit treguan dunat e mbuluara me borë, mund të keni pyetur veten – si është e mundur kjo?

Fotot, të shkrepura më herët në janar nga fotografi Karim Bouchetata, tregojnë borën dhe akullin pranë qytetit Ain Sefra në veriperëndim të Algjerisë. Në rajon ka rënë borë vetëm disa herë në 40 vitet e fundit. Të vetmet incidente të mëparshme të regjistruara të borës në Ain Sefra ishin në vitet 1979, 2017, 2018 dhe 2021. Kur u bënë fotot, temperaturat kishin rënë në -2 gradë Celcius.

A ka lidhje ndryshimi i klimës me rënien e borës në Sahara? Bora është shumë e rrallë në shkretëtirë, sepse zakonisht nuk ka ujë mjaftueshëm në ajër për të, edhe pse në shkretëtirë mund të jetë shumë ftohtë gjatë natës. Kriza klimatike është e paparashikueshme dhe pasi shkaktoi rritje të frikshme të temperaturave në vende afrikane, ajo mund të shkaktojë edhe ngjarje të ftohta si kjo.

Një studim shkencor sugjeron se ngjarjet ekstreme të motit të ftohtë mund t’i atribuohen ngrohjes së Arktikut, sugjeron një studim i publikuar në Journal Science. Megjithëse u krye në SHBA, ai parashikon se valët e ftohta mund të bëhen më të mundshme në të gjithë botën si rezultat i ngrohjes globale.

Është e rëndësishme të theksohet se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit po bëjnë që shkretëtira e Saharasë të rritet. Aktualisht është rreth 10% më e madhe se sa ishte gati një shekull më parë.