zoom

Politikë

PS tha se ishin eksponent të LSI-së personat e arrestuar në Maqellar, reagon LSI: Keni filluar të shisni edhe njëri tjetrin?!

LSI-ja e Bulqizës ka reaguar ditën e sotme pasi PS-ja e kësaj zonë i bëri dalje Denis Xholit, duke u shprehur se ai është futur në punë nga deputeti i LSI-së Përparim Spahiu, me të cilin ka dhe lidhje krushqie.

LSI-ja kritikon PS-në që jo vetëm nujk u distancuan nga ky skandal por mundohen t’ia ngecin LSI-së fajin, kur ditën e djeshme qytetarët e panë me zë dhe figurë sesi Rilindja blinte vota, sipas reagimit të LSI në Bulqizë.

“Janë zënë aq ngushtë saqë po shesin edhe njëri-tjetrin!

Ditën e djeshme të gjithë qytetarët panë me zë dhe figurë sesi eksponentë të “Rilindjes” në Dibër u kapën në flagrancë, gjatë tentativës për të blerë me para në dorë votat e qytetarëve në Maqellarë.

Aq ngushtë janë zënë drejtuesit e sektit “Rilindja” në Dibër, Dionisi & Co, saqë në vend që minimalisht të distancohen ose tek e fundit të heshtin përballë turpit të tyre të faktuar, ata mundohen të shesin njerëzit e tyre si eksponentë të LSI.

Se për kë punojnë, se për kë blejnë vota, dhe se eksponentë të kujt janë këtë e vërtetojnë fotot e mëposhtme, por pa asnjë dyshim do e vërtetojnë edhe organet e hetimit,” shkruan LSI Bulqizë.

Pak më parë, PS-ja e Dibrës reagoi duke thënë se mbështet zbardhjen e plotë të ngjarjes, por i bëri dalje Denis Xholit, duke u shprehur se ai është futur në punë nga Përparim Spahiu i LSI-së.

PS e Dibrës mbështet pa asnjë rezervë hetimin dhe zbardhjen deri në fund të rastit të djeshëm, ku një turmë e orkestruar njerëzish ndaluan një makinë me pretendimin se kishin kapur një votëblerës socialist. Për ne çdo individ që përfshihet apo kryen një krim elektoral nuk ka ngjyrë, po meriton vetëm ndëshkim.

Por pas verifikimeve të hollësishme ne konkluduam se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS. Ai është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie.

Ne nuk e dimë dhe as na takon të hamendësojmë nëse ky individ ishte vërtetë një blerës votash për LSI. Këtë le ta thotë drejtësia. Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS dhe se nëse ka një shqetësim real për mundësinë e shitblerjes së votave, ky shqetësim vjen vetëm nga një parti: Lëvizja Socialiste për Integrim,” përfundon deklarata.

Nje makine u ndalua ditën e djeshme nga Struktura për Mbrojtjen e Votës pranë PD-së, të cilët nuk kanë lejuar largimin e personave brenda në makinë pa ardhur policia.

Në prezencën e Policisë, shoferi dhe pasagjeri, njeri nga te cilet Denis Xholi, janë kontrolluar nga simpatizantët e opozitës për prova që ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.

Pasi i kontrolluan, ata lejuan policinë që t’i shoqeronte dy personat që ishin brenda në makinë, por makinën nuk kanë lejuar ta heqin që aty pa ardhur prokuroria dhe policia.

Edhe tashmë që po kryhet mbledhja e provave, simpatizantët e opozitës nuk janë larguar për asnjëe moment nga vendngjarja për të mos lejuar fshehjen e provave.