zoom

Bota

Protestuesit hedhin gaforre të gjalla ndaj policisë në përleshjet me peshkatarët në Francë

Qindra peshkatarë të zemëruar në Ren, në veriperëndim të Francës, protestuan dje kundër rekomandimeve qeveritare të reduktimit emetimeve të karbonit dhe rrjedhimisht të prodhimit në industrinë e peshkimit, duke u përleshur me policinë.

Peshkatarët që trembeshin për të ardhmen e tyre, në disa raste lëshuan gaforre të gjalla ndaj policisë në protestën me disa të plagosur në rajonin e Bretagne.

Qindra demonstrues në Ren protestonin kundër atyre që quanin “rregullave dhe persekutimit në çështjet detare”, sipas një letre të hapur që ata dërguan për presidentin Emmanuel Macron.

Olivier Le Nézet, kreu i komisionit kombëtar të peshkimit, tha se sektori refuzon “agresionin” e qeverisë ndaj flotave të peshkatarëve që po copëtohen duke u reduktuar në çerekun e atyre që kanë qenë rreth 20 vjet më parë.

Zemërimi vjen pasi kësaj jave gjykata më e lartë administrative i dha qeverisë gjashtë muaj kohë për të mbyllur disa nga zonat më të mëdha të peshkimit në ujërat e oqeanit Atlantik, sipas tyre me argumentimin “për mbrojtjen e delfinëve në zonën e Gjirit të Biscay.

Le Nézet tha se peshkatarët janë përfshirë vitet e fundit në programe të “përcaktimit të zgjidhjeve alternative” për mbrojtjen e këtyre kafshëve, pa ndaluar aktivitetin e peshkimit.

Ai shtoi se 560 peshkatarë rrjetash të këtij gjiri po marrin pjesë në planin e veprimit edhe pse pranonte se mund të bëhej më shumë.

“Nuk mund t’i kërkosh një peshkatari me peshkarexhë që brenda një nate të bëhet peshktar me rrjetë”, tha ai duke kërkuar që qeveria të ndalojë serinë e hapave të këqija e të gabuara në lidhje me cështjen.

Le Nézet gjithsesi dënoi dhunën në protestën e djeshme ku mes të tjerave një traktor ishte përdorur nga protestuesit kundër policisë.

Në një prej fotove shihet një protestues i gjakosur që ndalohet nga një oficer me veshje të rënda.

Zhvillimi vjen teksa presidenti Macron vetën në fillim të muajit kishte siguruar peshkatarët për mbështetjen e tij në një panair bujqësor në Paris.

Ndërkohë presidenti po i reziston pakënaqësisë dhe protestave popullore Macron pas kalimit me forcë të ligjit që ngre moshën e pensioneve nga 62 në 64 vjeç.

Protestat dhe tensionet në Francë për hapat e qeverisë vazhdojnë./DailyMirror/