zoom

Aktualitet

Protesta/ Pas Berishës, shkon në Prokurori edhe Flamur Noka

Në një kohë që ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në prokurorinë e Tiranës ku po pyetet në lidhje me protestën e dhunshme të 8 janarit në selinë blu, pas tij ka mbërritur edhe deputeti Flamur Noka.

Me dy gishta lart, ish-kryeministri është futur në Prokurorinë e Tiranës para Nokës në orën 11:00 për të dëshmuar në lidhje me protestën para selisë se PD. Në ambientet e jashtme të prokurorisë, Berisha u shpreh para gazetarëve se është thirrur nga Rama, pasi sipas tij ai i ka urdhëruar.

Ndërkohë Berisha tha se prokuroria duhet të ndëshkonte policinë që ndaloi njerëz të pafajshëm duke i kthyer në këtë mënyrë përgjigje gazetarëve për vendimin e djeshëm për të liruar të 34 personat e arrestuar pas protestës. Më tej Berisha u shpreh se do të japë informacione të hollësishme sapo të dalë nga prokuroria.

Të premten pritet të merret edhe dëshmia e kreut të PD, Lulzim Basha dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi. Në vijim të hetimeve për atë çfarë ndodhi në këtë protestë, organi i akuzës do të marrë edhe dëshminë e tyre si persona që kanë dijeni për ngjarjen.

34 personat e ndaluar pas protestës janë liruar. Prej tyre 24 do të jenë në detyrim paraqitje dhe për të tjerët është urdhëruar lirim i menjëhershëm.