zoom

Aktualitet

Procesi i vaksinimit, pas mësuesve radha e pedagogëve

Një javë pas nisjes së procesit të imunizimit të mësuesve, vaksinimi është shtrirë te pedagogët. Nuk ishin profesorët e Universitetit të Tiranës, por ata të “Ismail Qemalit” në Vlorë dhe “Aleksandër Xhuvanit” në Elbasan që morën dozën e parë të vaksinës.

Janë 340 persona që janë parashikuar për t’u vaksinuar në dy ditë vetëm në qytetin bregdetar.

Procesi i vaksinimit për mësues e pedagogë nisi me skepticizëm pas raportimeve sporadike për mpiksje gjaku, çka bëri që shumë shtete në botë ta pezullonin për gati një javë. Por kjo veçse turbulloi ujërat në Shqipëri, duke u përballur me hezitime në radhët e mësuesve, pasi qeveria, me të marrë dozat përmes COVAX, nisi aplikimin e tyre të nesërmen te kategoria e planifikuar. Vetëm dje janë kryer 1714 vaksinime në të gjithë vendin, përfshi dhe arsimtarët, ndërsa që nga 11 janari Shqipëria ka kryer 48 mijë e 229 të tilla për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.