zoom

Politikë

Pritjet e Bashës nga demokratët, Rama: Këto mitingje janë turp i madh

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar sërish mbrëmjen e sotme pritjet që demokratët i bëjnë liderit të PD-së Lulzim Basha gjatë takimeve në kuadër të fushatës në qytete të ndryshme të vendit. Kreu i socialistëve thotë se “këto mitingje janë turp i madh, papërgjegjshmëri dhe mungesë karakteri e lidershipit opozitar”.

“Vaksimi masiv cënohet pa distancimin, që duhet të shkojë paralelisht dhe këto vatra të nxehta infektimi për motive të ulta politike, rrezikojnë ta godasin pas shpine Shqipërinë, teksa po i afrohemi çdo ditë daljes nga tuneli i pandemisë!

Kosova po e paguan shtrenjtë fushatën elektorale me njerëzit ngjitur njëri pas tjetrit dhe rreziku i rimbylljes është rishfaqur; Malit të Zi fushata i kushtoi një rritje masive infektimesh, plagosjesh e humbje të jetëve; Maqedonia e Veriut po shkon drejt rimbylljes për mungesë vaksinash dhe ndërkohë vende të tjera më të mëdha po vuajnë shtrëngimet, teksa vazhdojnë vaksinimin që për shkak të numrave të mëdhenj nuk po jep ende efektin e vet!

Foto e postuar nga Edi Rama

Shumëkush e relativizon dëmin e madh shëndetësor që po mbjellin këto mitingje të papërgjegjshme, disa më shajnë e i përqeshin këto postime të miat, të tjerë flasin përçart për uragane imagjinare apo braktisje të Partisë Socialiste nga populli, por unë do të këmbëngul deri në fund:

Këto mitingje janë turp i madh, papërgjegjshmëri dhe mungesë karakteri e lidershipit opozitar! Janë fytyra e vjetër e antishtetit dhe e rrumpallës antiqytetare të PD-së! Po mbi të gjitha janë rrezik shumë i madh për shëndetin e njerëzve dhe sabotim i hapur i luftës sonë kombëtare kundër Armikut të Padukshëm!