Aplikacion
Një nga burimet tha se sanksionet, me të cilat 30 subjekte pritet të futen në “listën e zezë”, do të lidhen me urdhra për dëbimin e rreth 10 zyrtarëve rusë nga Shtetet e Bashkuara.
Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për të komentuar këto pohime.
Veprimi do të thellojë ftohjen e marrëdhënieve edhe ashtu të akullta midis Uashingtonit dhe Moskës, e cila ka sprovuar durimin e perëndimit me grumbullimet ushtarake afër kufirit me Ukrainën.
Sanksionet në shkallë të gjerë pritet të jenë një përgjigje ndaj shkeljes së sigurisë kibernetike që preku softuerin e krijuar nga kompania SolarWinds, për të cilin qeveria amerikan tha se ishte orkestruar me gjasë nga Rusia. Shkelja u dha hakerëve qasje në mijëra kompani dhe zyra qeveritare që përdorën produktet e kompanisë.
Presidenti i Microsoft Brad Smith e përshkroi sulmin, i cili u identifikua në dhjetor, si “më të madhin dhe të sofistikuarin që bota ka parë ndonjëherë”.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu synojnë të ndëshkojnë Moskën lidhur me pretendimin për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2020. Në një raport të publikuar muajin e kaluar, agjencitë amerikane të zbulimit thanë se Presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë të ketë urdhëruar një fushatë për të ndihmuar shanset për fitore të ish presidentit Trump.
Veprimi i pritshëm i Uashingtonit ka të ngjarë të përkeqësojë tensionet në një marrëdhënie që ra në një nivel të ri të pas Luftës së Ftohtë muajin e kaluar, pasi që presidenti Biden tha se ai mendonte se Putini ishte një “vrasës”.
Në një bisedë telefonike të martën, presidenti Biden i tha presidentit Putin se Shtetet e Bashkuara do të vepronin “me vendosmëri” për të mbrojtur interesat e tyre. Presidenti Biden gjithashtu propozoi një takim me presidentin Putin “në një vend të tretë” që mund t’u lejojë udhëheqësve të gjejnë hapësira për të punuar së bashku.
Në javët e fundit, Uashingtoni dhe aleatët e tij të NATO-s u alarmuan nga një grumbullim i madh i trupave ruse pranë Ukrainës dhe në Krime, gadishullin që Moska e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
“Armiqësia dhe paparashikueshmëria e veprimeve të Amerikës, na detyrojnë në përgjithësi të jemi të përgatitur për skenarët më të këqij”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov javën e kaluar, duke parashikuar sanksionet e reja.