zoom

Aktualitet

Prishje pazaresh dhe borxhe/ Vrasja e Tauland Gjikajt, çfarë u zbulua në celularin e tij

Policia e Vlorës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona, të cilët dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e ndodhur pasditen e së mërkurës në këtë qytet.

Tauland Gjika mbeti i vrarë me armë zjarri, ndërkohë që Policia arriti të arrestonte një nga autorët e dyshuar, Hans(Andi) Jonuzaj. Ky i fundit u arrestua në automjetin e përdorur në krim, brenda të cilit u gjet edhe arma e krimit tip kallashnikov.

Tashmë nga Policia e Vlorës janë identifikuar edhe bashkëpunëtorët e 44- vjeçarit në krim, të cilët janë shtetasit Elton Hajnaj dhe Skerdjan Gabriani. Ndërkohë, edhe pse janë publikuar pamjet e momentit kur është ekzekutuar 31-vjeçari, Policia nuk ka saktësuar se kush ka qëlluar në drejtim të Tauland Gjikajt (Beqiraj).

SHOQËRIMET NË POLICI

Pas ngjarjes, uniformat blu kanë bërë shoqërimin në Polici të 12 personave, mes të cilëve janë dëshmitarë okularë dhe të njohur të viktimës. Me dëshminë e tyre, ata kanë dhënë detaje të rëndësishme mbi identifikimin e autorëve në këtë ngjarje.

Përveç shoqërimeve, Policia e qytetit bregdetar ka ushtruar kontrolle të imtësishme në disa banesa, në mënyrë që të bëjë të mundur kapjen e personave që tashmë janë shpallur në kërkim për vrasjen e të riut.

Të dy personat e tjerë u identifikuan sipas Policisë, referuar pamjeve nga kamerat e sigurisë që u sekuestruan në vendin e ngjarjes.

PISTAT E HETIMIT

Pazaret e drogës në vendet nordike mbeten pista kryesore e hetimit ku është përqendruar puna e grupit hetimor, ndërsa mësohet se kohë më parë viktima ka jetuar në Norvegji, vend ku edhe dyshohet se kanë lindur konfliktet.

Por një tjetër pistë, sipas Policisë, mbetet edhe ngjarja e muajit shkurt të vitit 2018, ku viktima u përfshi në një përplasje mes disa personash dhe madje mbeti edhe i plagosur në atë ngjarje, të regjistruar pranë kishës ortodokse në qytetin e Vlorës.

Gjithsesi, pazaret e drogës vijojnë të mbetet në fokusin e uniformave blu, ndërkohë që viktima ka qenë disa herë i dënuar për “Armëmbajtje pa leje”, por edhe “Vrasje të mbetur në tentativë” apo “Trafikim të lëndëve narkotike”. Gjatë marrjes në pyetje, i arrestuari Jonuzaj ka mohuar të ketë qëlluar në drejtim të 31- vjeçarit, ndërsa kjo ka qenë edhe deklarata e vetme e tij para grupit hetimor.

Hetimet nga Policia e Vlorës vijojnë, por arrestimi i dy personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje do të përcaktojë më shumë rreth shkakut të ngjarjes së rëndë që tronditi të mërkurën qytetin e Vlorës.

CELULARI I VIKTIMËS

Sakaq, burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se nga këqyrja e celularit të viktimës, janë gjetur disa biseda që kanë bërë të lindin dyshime se vrasja mund të jetë kryer edhe për shkak të borxheve të pashlyera.

Gjatë analizimit të celularit, hetuesit thonë se aty ka disa biseda mes viktimës dhe personave të tjerë, me tone të ashpra dhe ofendime, ku në thelb është tema e borxheve. Dyshohet që autorët dhe viktima të kenë pasur njohje me njëritjetrin, pasi në kamerat e sigurisë shihet se ata kanë komunikuar para se 31- vjeçari të qëllohej për vdekje.

Agresorët ishin të pamaskuar dhe teksa njëri i drejtohet me fjalë, tjetri ka hapur zjarr nga pas. Viktimës i është gjetur një pistoletë me vete. Policia e Vlorës ka organizuar kontrolle të shumta për kapjen e 2 autorëve, por pa rezultat. 12 persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë.

Kush është 31-vjeçari, i njohur me tre mbiemra

Tauland Gjikaj njihet si një person me precedentë të mëparshëm penalë për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vrasje e mbetur në tentativë”. Për ekzekutimin e tij në mes të qytetit bregdetar, ngjarje e ndodhur pasditen e së mërkurës, Policia është fokusuar në konfliktet për larje të hesapeve për prishjen e pazareve të drogës.

Më konkretisht, Policia dyshon se këto konflikte lidhen me aktivitetin e paligjshëm në Norvegji, ndërsa hetimet kryhen edhe për përplasjen e ndodhur në qytetin e Vlorës në vitin 2018, mes dy grupeve. Atë kohë, tetë të rinj të armatosur me pistoleta dhe kallashnikovë janë përplasur me armë dhe kanë qëlluar ndaj njeri-tjetrit. Nga shkëmbimi i zjarrit ndërmjet dy bandave mbetën të plagosur 3 persona.

E gjithë ngjarja ndodhi në kulmin e lëvizjeve në qytetin bregdetar. Atë kohë pamjet e nxjerra nga kamerat e sigurisë tregonin momentin e përplasjes, ku ishte i përfshirë edhe 31-vjeçari Tauland Gjikaj. Ndërkohë, dy vite më parë ai njihej si Tauland Manaj dhe konsiderohej si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Policia e Tiranës në muajin nëntor të viti 2018 njoftoi finalizimin e operacionit të koduar “Befasia”.

Sipas Policisë, atë kohë Tauland Manaj, lindur në Vlorë dhe banues në Vlorë, fshihej në një pallat në lagjen “Ali Demi”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, më datë 18.09.2018, ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila kishte vendosur masën e arrestit me burg për “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”.

Kamerat e sigurisë zbardhën vrasjen e 31-vjeçarit Gjikaj

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e mërkurë në rrugën Transbalkanike, përballë Gjykatës së Apelit Vlorë. Viktima, që njihej edhe me mbiemra të tjerë si Beqiraj apo Manaj, po ecte në rrugë, ndërsa autori, i shoqëruar me një person tjetër, zbriti nga një makinë me xhama të zi dhe qëlluan për vdekje Gjikajn, djali i një ish-punonjësi Policie me precedentë të mëparshëm kriminalë.

Të pranishëm në ekzekutim ishin tre persona, njëri që qëndroi në makinë dhe dy të tjerët që dolën jashtë, të cilët janë identifikuar si Elton Hajnaj dhe Skerdjan Gabriani, të cilët janë shpallur në kërkim.

Viktima qëndroi më shumë se 5 minuta i shtrirë në rrugë dhe është marrë më pas nga ambulanca, ndërsa ndërroi jetë rrugës për spital, pasi nuk u mbijetoi dot plagëve të marra. Pas ngjarjes, Policia shoqëroi shtetasin Hansi (Andi) Jonuzajn, 44 vjeç, banues në Vlorë, i cili me automjetin tip “Ford”, tentoi të largohej bashkë me një armë zjarri tip kallashnikovi.

Nga Elton Nikaj