zoom

Sport

Presion nga sheikët, Guardiola: Klubi do që të fitojmë Champions League

“Ata më thanë se duhet të fitosh Champions-in”. Pep Guardiola e pranon se pritshmëritë për triumf europian janë gjithmonë mbi shpatullat e tij. Trajneri spanjoll nuk e ka harruar mesazhin që mori kur arriti për herë të parë te Manchester City (nga Bayern Munich), më 2016: fito Ligën e Kampionëve, ose nuk mund të konsiderohesh plotësisht i suksesshëm.

Pep e zbuloi këtë fakt, pas kualifikimit ndaj Borussia Monchengladbach, ndërsa po përpiqet të thyejë mallkimin e çerekfinaleve me “qytetarët”: “Prestigji për të gjithë ne është fitimi i Champions-it. Lavdia europiane ka një rëndësi të madhe për klubin tonë”. Skuadra e Guardiolës tani ka fituar 24 nga 25 ndeshje radhazi, në të gjitha garat, por ka të ngjarë të ndeshet me një gjigant kontinental të nivelit më të lartë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

“Që nga viti i parë, kur arrita trajner te Manchester City, drejtuesit më thanë se duhet të fitosh Ligën e Kampionëve, – u shpreh Pep para gazetarëve. – Gjithmonë është ky objektiv mbi shpatullat tona, por nuk jam i shqetësuar për këtë. Nëse e meritoni me futboll, do ta fitoni. Nëse jo, nuk e bëni dot. Unë nuk jam duke menduar për të shkuar në gjysmëfinale. Jam duke menduar për të bërë një lojë të mirë në raundin pauses. Kur jeni duke menduar për atë që doni të fitoni, harroni atë që duhet të bëni.

Natyrisht, jam më shumë se i impresionuar dhe i kënaqur nga lojtarët e mi në këtë sezon të vështirë për të gjithë, duke qenë 14 pikë të qarta përpara në Premier League, në finalen e “Carabao Cup” dhe çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Po kështu, do të luajmë për të shkuar në gjysmëfinale të “FA Cup”. Kjo do të thotë se mund të fitojmë çdo trofe të mundshëm. Sigurisht, për prestigjin dhe objektivin madhor të klubit, duhet të fitojmë Champions-in”.