zoom

Politikë

“Presim një sasi të konsiderueshme vaksinash”, Rama: Së shpejti nisim vaksinimin e moshave +60

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Shkodra, ku po vijon procesi i vaksinimit në shkollën “Edit Durham”. Rama tha se janë në pritje të lajmeve të mira për të marrë një sasi të konsiderueshme të vaksinave për të vijuar vaksinimin e moshave +60 dhe më pas nën 60.

“Vazhdojmë procesin e vaksinimit, i cili po ecën mjaft mirë, pavarësisht luhatjeve dhe ngurrimeve të krijuara ditët e fundit për shkak të lajmeve për AstraZenecën dhe pezullimit në disa vende. Deri tani nuk ka asnjë problem, po rritet numri i mësuesve për tu vaksinuar. Është normale që të ketë hezitime. Për ne është e rëndësishme që të rrisim intensitetin. Besoj që do kemi më në fund lajme të mira dhe do të kemi në disponim një sasi të konsiderueshme vaksinash për tu shtrirë përtej këtyre kategorive, për të marrë mbarë gjithë kategorinë e moshave +60 dhe më pas nën 60”, tha Rama.

Sa i përket fushatës politike, e cila mund të bëjë më të vështirë procesin e vaksinimit, Rama ironizoi veprimet e Lulzim Bashës duke theksuar se nuk duhet të futen të gjithë partitë në një thes.

“Vaksinimi ëshrtë njëra anë e kësaj medalje të kësaj lufte, ana tjetër është respektimi i rregullave. Nuk janë sjelljet e partive politike sepse zakoni për ti futur gjithë në një thes është i vjetër. Janë partitë e KÇK që dalin bashkë me dhëndrin përpara dhe gjoja mblidhen disa dasmorë me dy gishta e ulërima dhe krijojnë një vatër potenciale infektimi në mes të qytetit. Kjo është sfidë për shëndetin. Këto historitë me dy gishta e flamuj nuk do mbarojnë”, tha Rama.