zoom

Aktualitet

Po kalonte kufirin me dy çanta të mbushura me drogë dhe armë, arrestohet taksisti nga Tirana

Një 51-vjeçar është arrestuar nga policia e Pogradecit ndërkohë që tentonte të kalonte me taksinë e tij dy çanta me lëndë narkotike dhe një sasi armësh zjarri në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

I arrestuari është shtetasi Murat Manuka. Policia njofton se janë sekuestruar 8.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 1 armë zjarri automatik model “Scorpions”, me municion.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec dhe ata të Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe të Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Taksisti”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: M. M., 51 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Agjentët kishin informacione se një shtetas po lëvizte në dalje të qytetit të Pogradecit, me një automjet taksi, me të cilin dyshohej se mund të trafikonte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, lëndë narkotike dhe armë zjarri, koordinuan veprimet dhe tek vendi i quajtur “Lumi i Tërhanit”, bënë ndalimin e këtij automjeti, me drejtues shtetasin M. M.

“Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjetën 8.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e futur në dy çanta, dhe 1 armë zjarri automatik model “Scorpions”, me krehër me fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Veprimet procedurale për këtë rast u kryhen nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, të cilët po vijojnë punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, theksohet më tej. /ZOOM.AL/