zoom

Të gjitha

Plumbat që tronditën Hollywood-in! Historia përsëritet, ja si u vra djali i Bruce Lee

Bota e kinematografisë dhe jo vetëm është tronditur nga ngjarja e rëndë që ndodhi gjatë xhirimeve të filmit më të ri me titull, “Rust”. Aktori i famshëm i Hollywood-it, Alec Baldwin vrau aksidentalisht një kineaste dhe plagosi drejtorin.

Mediat e huaja shkruajnë se 68-vjeçari kishte në dorë një armë që duhej të kishte fishekë manovër, por që fatkeqësisht gjërat shkuan shumë keq. Si pasojë mbeti e vdekur 42-vjeçarja, Halyna Hutchins dhe u plagos rëndë 48-vjeçari, Joel Souza.

Gjithashtu është bërë e ditur se aktori i njohur është shoqëruar nga autoritetet policore në Santa Fe, ku është marrë në pyetje për ngjarjen e rëndë që ka shokuar të gjithë.

Por 68-vjeçari është lënë i lirë menjëherë pa asnjë akuzë, ndërsa hetimet për zbardhjen e ngjarjes vijojnë. Ndërkohë mediat e huaja kanë publikuar foto e video nga vendi i ngjarjes, ku Baldwin shfaqet duke qarë ndërsa flet në telefon.

E teksa publiku lexon lajmet që bënë bujë menjëherë, pyesin se kush e kishte mbushur armën me fishekë të vërtetë? Sipas TMZ, arma në fjalë është mbushur nga dikush tjetër në set, ndaj shtohen dyshimet nëse ai ka futur aty plumba të vërtetë apo manovër.

Gjithashtu policia ka njoftuar se nga arma kanë dalë ‘predha’, por pa bërë specifikime të mëtejshme. Ndërkohë mediat e specializuara thonë se ka raste kur armët me plumba manovër kanë shkaktuar viktima.

Por fatkeqësisht ky nuk është rasti i parë i rëndë i ndodhur gjatë xhirimeve të një filmi. Ka pasur raste të shumta ku edhe vetë aktorët kanë mbetur të plagosur por edhe të vrarë.

Ishte viti 1993 kur djali i aktorit të famshëm, Bruce Lee, u vra teksa ndodhej në shesh xhirimin e filmit me titull “Korbi”. 28-vjeçari Brendon Lee u vra nga një armë e cila duhej të kishte plumba manovër.

Në atë kohë, mediat e huaja shkruanin se një pjesë e plumbit manovër kishte ngecur në tytë, më pas ajo u qëllua duke u kthyer në plumb fatal për jetën e aktorit të ri.

Familja e Brendon Lee ka shprehur ngushëllimet për ngjarjen e fundit, duke theksuar se është e patolerueshme që njerëzit të vriten në setin e xhirimit.