zoom

Politikë

Plagosi me armë sekretarin e PD-së në Kavajë, autori Jonuzi flet nga arratia: U konfliktova sepse…

Detaje të reja ka ndalë në dritë nga plagosja e djeshme me armë zjarri të sekretarit të degës së PD-së në Kavajë, Bledi Okshtuni. Policia ka shpallur në kërkim autorin Ndriçim Jonuzi (i njohur edhe me mbiemrin Tahiri) dhe dy shokët e tij Markel Shtylla e Dorian Troplini. Të tre personat janë në kërkim për plagosje të rëndë me dashje.

Edhe pse çështja u politizua duke thënë se kjo ka ndodhur për të tensionuar fushatën elektorale, vetë Ndriçim Jonuzi nga arratia ka sqaruar arsyet që sipas tij çuan në përplasje dhe se nuk ishin politike. Jonuzi thotë se gjithçka ndodhi nuk ka të bëjë me politikën por për shkak se sipas tij personat me të cilët u konfliktua i kishin zënë rrugën një nëne me shami dhe pasi ky i kishte kërkuar llogari ata u sollën në mënyrë arrogante.

Të shtëna me armë në një zyrë elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë  bënë që opozita dhe Presidenti Ilir Meta ta cilesonin si sulm për qëllime politike. Autori Ndricim Jonuzi Tahiri i shpallur në kërkim është një person me precedent penal i dënuar në 2014 me 8 vite burg për vrasje me dashje.

Ndërkohë media pranë PD-së thonë se ai ka fituar një tender 2 javë më parë në Bashkinë e Kavajës dhe Zoom.al po e ndjek si cështje. Po kështu, PD thotë se ai ka qenë i shoqëruar nga drejtori i policisë bashkiake të Kavajës.