zoom

Sport

Pirlo: Nuk dua dorëzim, e fitojmë në fushë vendin në Champions

Vetëm tri ditë pas humbjes në shtëpi me Milanin, që komplikoi totalisht objektivin për një vend në zonën Champions, Juventus do të ketë mundësinë të lërë pas krahëve humbjen me kuqezinjtë, pasi do të luajë transfertën ndaj Sassuolos.

Trajneri Andrea Pirlo doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku kërkoi të motivojë të tijtë, duke u shprehur se gara për zonën Champions është ende e hapur dhe se Juventusi duhet ta fitojë atë në fushën e lojës.

“Nuk dua të shoh dorëzim pasi ka edhe tre ndeshje dhe jam i sigurt që mund t’ia dalim nëse marrim maksimumin e pikëve. Na pret një transfertë e vështirë, por nëse tregojmë fytyrën tonë më të mirë, mund t’ia dalim. Ronaldo është mirë dhe shpresoj t’i kem të gjithë në dispozicion për sprintin final të kampionatit”, deklaroi Pirlo.

Tekniku bardhezi refuzoi të komentojë thashethemet për një debat mes Pavel Nedved e Fabio Paraticit në fund të ndeshjes me Milanin, teksa të njëjtën gjë bëri edhe me deklaratën e Gravinës se Juventus mund të përjashtohet nga kampionati nëse nuk heq dorë nga Superliga.

“Nuk dua të komentoj deklaratat e Gravinës, pasi janë diçka e jashtme për ne. Është çështje që u takon drejtuesve, ndërsa ne kemi detyrimin të fitojmë në fushë një vend në zonën Champions. Debati Nedved-Paratici është një thashethem që synon vetëm të prishë atmosferën dhe nuk bie në këtë kurth”, u shpreh tekniku i Juventusit.