zoom

Aktualitet

Pfizer zbulon vaksinën kundër covid-19

Kompania amerikane Prizer  dhe partneri i saj gjerman BioNTech  deklaruan të hënën se vaksina e saj eksperimentale kundër covid-19 është më shumë se 90 % efektive në parandalimin e virusit që ka vrarë mbi 1.2 milionë njerëz dhe ka gjunjëzuar ekonominë botërore.

Kompanitë thanë se gjatë testeve nuk kanë zbuluar shqetësime serioze në shëndetin e pacientëve dhe se do të kërkojnë autorizimin për ta përdorur vaksinën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë këtij muaji.

Nëse autorizohet, numri i dozave të vaksinës fillimisht do të jetë i kufizuar.

“Sot është një ditë e shkëlqyer për shkencën dhe njerëzimin,” tha Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer, në një deklaratë.

“Ne po arrijmë në këtë moment të rëndësishëm në programin tonë të zhvillimit të vaksinave në një kohë kur bota ka më shumë nevojë për të, me infeksionet që po kapin rekorde, spitalet afër tejmbushjes dhe me ekonomitë që po përpiqen të rihapen”.

Pfizer pret të kërkojë autorizimin e gjerë të përdorimit për njerëzit e moshës 16 deri 85 vjeç.

Për ta bërë këtë, kompania do të duhet mbledhë të dhënat e dy muajve për afro gjysmën e 44 mijë personave që iu nënshtruan testimeve.

“Unë jam afër ekstazës”, tha Bill Gruber, një nga shkencëtarët kryesorë të vaksinave të Pfizer, në një intervistë. “Kjo është një ditë e shkëlqyer për shëndetin publik dhe për potencialin që të na nxjerrë të gjithëve nga rrethanat në të cilat ndodhemi tani.”

Vaksina u injektua në 2 faza, përgjatë 3 javësh.

Shkalla e efikasitetit të saj është shumë më e lartë se 50% e efikasitetit të kërkuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave për një vaksinë të koronavirusit.

Por shumë pyetje mbeten pa përgjigje, përfshirë atë se, për sa kohë do të jenë të mbrojtur personat që e marrin vaksinën.

Pfizer dhe BioNTech kanë një kontratë 1.95 miliardë dollarë me qeverinë amerikane për të shpërndarë 100 milion doza vaksinash duke filluar nga ky vit.

Ata gjithashtu kanë arritur marrëveshje furnizimi me Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Japoninë. Problem mbeten vendet e varfra. Pfizer tha se pret të prodhojë deri në 1.3 miliardë doza të vaksinës në 2021.